# Dita e parë e shkollës,  Basha uron nxënësit: Askush s’do donte që dita e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja

> Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot nxënësit dhe mësuesit në ditën e parë të shkollës. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Basha pohoi&hellip;

**URL:** https://publialb.al/dita-e-pare-e-shkolles-basha-uron-nxenesit-askush-sdo-donte-qe-dita-e-pare-e-rrugetimit-drejt-dijes-te-ishte-si-kjo-e-sotmja/
**Published:** 2020-09-14
**Modified:** 2020-09-14

---

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot nxënësit dhe mësuesit në ditën e parë të shkollës. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Basha pohoi se “Askush nuk do donte që dita juaj e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja në mes të pandemisë, shoqëruar me masa të veçanta që e bëjnë të vështirë këtë fillim shkolle.”

 

**MESAZHI I BASHËS**

Të dashur nxënës dhe mësues që sot nisni vitin e ri shkollor, ju uroj nga zemra suksese!

Urime më të mira për mësuesit tanë që këtë vit do të përballen me orare të zgjatura dhe vështirësi më të mëdha se vitet e tjera. Jam i bindur se me përkushtimin për profesionin dhe kujdesin për nxënësit, do t’ia dilni me sukses për të përballuar këtë realitet të ri dhe sfidues.

Një urim i veçantë nga zemra për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Askush nuk do donte që dita juaj e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja në mes të pandemisë, shoqëruar me masa të veçanta që e bëjnë të vështirë këtë fillim shkolle.

Urime të gjithë gjimnazistëve në këtë vit sfidues! E di se do ta keni të vështirë të ruani distancën, pasi e tillë është edhe energjia e moshës, por ju lus të silleni me vetëdijen se nga sjellja juaj varen jetë njerëzish.

Normaliteti do rikthehet sërish, e ju mund të kapni kohën e humbur me njëri-tjetrin. E vetmja gjë që nuk kthehet është jeta. Prandaj lutja ime për të gjithë ju është: respektoni masat, ruani veten dhe njëri-tjetrin.

Ditë më të mira na presin!

 

 

---

**Categories:** Aktualitet
**Tags:** Basha uron nxënësit: Askush s’do donte që dita e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja, Dita e parë e shkollës
