# Finalizohet operacioni policor i koduar "Gjola", arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

> Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja me armë në një pikë karburanti në Krujë. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë,&hellip;

**URL:** https://publialb.al/finalizohet-operacioni-policor-i-koduar-gjola-arrestohen-ne-flagrance-2-autoret-e-dyshuar-shpallet-ne-kerkim-bashkepunetori-i-tyre/
**Published:** 2021-04-12
**Modified:** 2021-04-12

---

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja me armë në një pikë karburanti në Krujë.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë, mjeti dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes.

Në orët e para të mëngjesit, tek Ura e Gjolës, Arrameras, Fushë Krujë, persona të maskuar dyshohet se nën kërcënimin e një arme zjarri kanë marrë një sasi vlere monetare në një pikë karburanti dhe janë larguar.

Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat kanë çuar në zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.

Bazuar mbi provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Gjola”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. Ç., 30 vjeç, banues në Nikël, Krujë, Z. Ç., 17 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 17 vjeç, banues në Fshatin Verjon, Krujë (kushërinj me njëri-tjetrin).

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, automjetin dhe veshjet e përdorura nga këta shtetas në momentin e ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

---

**Categories:** Kronikë
