Emërimet e drejtuesve të hipotekave ku pozicionet kanë mbetur vakante pas dorëheqjeve të kryeministrit Edi Rama do të realizohen përmes konkurseve.
Ishte Ministria e Drejtësisë e cila njoftoi hapjen e konkurseve për drejtuesit e rinjtë Hipotekave.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një deklaratë për mediat tha se ky konkurs synon ti japë qytetarëve shërbim dinjitoz dhe të ndershëm.
Ajo i bëri thirrje të gjithë të interesuarve të marrin pjesë në këtë proces të hapur dhe transparent.
Gjonaj: Ministria e Drejtësisë sot shpalli publikisht konkursin për 26 pozicione vakante për drejtues të zyrave të hipotekave në rrethet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Lezhë, Skrapar, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Bulqizë, Devoll, Fier, Kolonjë, Kurbin, Kuçovë, Mallakastër, Mat, Mirditë, Përmet e Pogradec.
Ky do të vijojë me organizimin e konkurimit për të gjithë personelin e të gjithë zyrave të hipotekave në vend.
Gjonaj paralajmëron se konkursi do të nisë edhe për drejtorët e Burgjeve.
Gjonaj: Në të njëjtën mënyrë reformimi në rekrutimin e stafit drejtues do të vijojë në ditët e ardhshme edhe për drejtuesit e sistemit të burgjeve, pastaj të shtrihet në të gjithë stafin
Ministrja u kërkoi të gjithë qytetarëve të bëhen pjesë e konkursit nëse i kanë plotësuar kushtet.
Ftojmë dhe motivojmë të gjithë qytetarët që vlerësojnë se përmbushin kriteret ligjore për këto pozicione të dërgojnë aplikimet e tyre në adresën elektronike dhe postare dhe të bëhen pjesë e kësaj reformë që sapo ka nisur.
Gjonaj shton se konkursi është nisja e reformave të premtuara në 100 ditëshin e parë.