Një gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri është ndaluar pasi akuzohet se ka ndihmuar në lirimin nga burgu të Gentian Dodës, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për dy vrasje.
“Grupi hetimor kishte krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme” thuhet në njoftimin e policisë së shtetit të shpërndarë paraditen e 10 nëntorit.
“Një vrasje e dytë”
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkallës së Parë e kishte deklaruar fajtor Gentian Doden, dhe dënuar me 20 vjet burgim. Në Gjykatën e Apelit Tiranë është ndryshuar klasifikimi i veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë” dhe aktualisht autori është liruar nga burgu.” informon policia.
Operacioni i koduar “Një vrasje e dytë” u ndërmor nga sektori për Hetimin e Korrupsionin në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Ndalimi para mesnates
Në orën 23:30 minuta të 9 nëntort 2017, vetëm 30 minuta para mesnatës, është bërë ndalimi i gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe është bërë kontrolli i banesës së tij.
Në shtëpi i gjejnë milionat
Sipas policisë “në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash”
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dha vendim për kontrollin e banesës.
“Në kontrollin e banesës të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsinit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë” vijon njoftimi.
Akuzat qe rendojne mbi gjyqtarin
Ndalimi i gjyqtarit Shkelqim Miri, u krye në funksion të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kundra-ligjore.