Goditja e krimeve mjedisore ka qenë në qendër të një aksioni të përbashkët mes Policisë Vendore të Vlorës dhe Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT). Si rezultat i këtij aksioni, dy subjekte janë gjobitur, pasi dyshohet se ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi i policisë:
Vlorë
Vijon operacioni për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Evidentohen dhe gjobiten dy subjekte të tjera për shkelje në zonën e Bunavisë, Vlorë.
Aksioni nga Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT).
Dy subjekte të Impianteve të Përpunimit të Inerteve, me administratorët përkatës F. H. dhe V. D., në zonën e quajtur Bunavi, Vlorë, kanë përpunuar dhe transportuar inerte në mënyrë të paligjshme, pasi iu është pezulluar leja e shfrytëzimit të aktivitetit të tyre, dhe pa leje mjedisore.
Në vijim të veprimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Vlorë, ka nisur procedimin penal ndaj administratorëve të këtyre subjekteve, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.
Gjithashtu, IKMT ka ndëshkuar subjektet në fjalë me masë administrative, në total 4.000.000 lekë të rinj, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konkretisht:
- Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator F. H. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj;
- Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator V. D. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj;
Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 ose në Komisariatin Dixhital.