Agjensia Shtetërore e Kadastrës, ka njoftuar sot se hapet zyrtarisht proçesi i regjistrimit fillestar në 8 zona kadastrale të bregetit të Jugut të vendit. Me anë të një postimi në faqen Zyrtare të Kadastrës në rrjetin social “FaceBook” Agjensia Shtetërore njofton se pas një pune disamujore, zyrtarizohet nisja e proçesit të regjistrimit fillestar të pronave, ku parashikohet që të përfitojnë 8 mijë pronatë në vijën bregdetare të jugut, ndërkohë që proçesi parashikohet që të zgjas disa muajë.
Postimi i plotë
FILLIMI I REGJISTRIMIT TE PRONAVE NE BREGDET
Pas një pune përgatitore prej disa muajsh, sot Kadastra Shqiptare hap zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar në 8 zonat kadastrale të Bregdetit të Jugut dhe konkretisht:
ZK.2863 – Palasë,
ZK.1481 – Dhërmi,
ZK.3844 – Vuno,
ZK.2518 – Lukovë,
ZK.1739 – Gjilekë,
ZK.1982 – Ilias,
ZK.1952 – Himarë,
ZK.2806 – Nivicë.
E thënë me fjalë të thjeshta, fillon procesi i regjistrimit të pronave në bregdetin e Jugut.
Rregjistrimi i pronës në Jug, është operacioni më i madh kadastral i ndërmarrë nga shteti shqiptar në atë zonë.
Ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private, kryesisht toka të përfituara me AMTP (përmes ligjit 7501/1991), shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara, etj.
Gjithashtu, procesi do të trajtojë edhe rreth 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, vepra infrastrukture, kullota, pyje, etj.
Prej tij do të përfitojnë rreth 8000 banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave.
Përgjatë 26 vjetëve që funksionon procesi i regjistrimit fillestar, ky proces ka filluar 2 herë dhe pastaj është braktisur pa u përfunduar. I premtojmë të gjithë banorëve të këtyre zonave, se kësaj rradhe shteti shqiptar do ta çojë deri në fund këtë proces.
Procesi i rregjistrimit fillestar, i ka rrënjët dhe mundësohet përmes ligjit të ri për Kadastrën, të hyrë në fuqi në fillim të vitit të kaluar, si edhe të ligjit për për fundimin e proceseve tranzitore, të hyrë në fuqi para rreth një muaji.
I gjithë procesi i rregjistrimit, do të kryhet dhe monitorohet nga ekipet tona të dërguara nga Tirana.
E bëjmë këtë edhe për shkak të ekspertizës më të mirë e cila është e grumbulluar pikërisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme këtu në Tiranë, por edhe për shkak të shmangies së konfliktit të interesit midis punonjësve lokalë, si edhe për të mos përfshirë në këtë proces një drejtori rajonale, e cila për fat të keq muajt e fundit ka shfaqur problematika të mbartura e mahisura prej vitesh.
Gjatë kësaj periudhe përgatitore, jemi ndeshur në një mori problematikash të mbartura e të shtresëzuara në vite.
Jemi ndeshur me akte pronësie të mbivendosura nga dy, e nga tre, e nga katër herë; jemi ndeshur me dokumenta të falsifikuara; jemi ndeshur me presione nga më të ndryshmet; jemi ndeshur me vendime komisionesh, me vendime gjykatash, me vendime kthimi pronash, të gjitha problematike; jemi ndeshur me zhdukje, me fshehje, dhe me manipulim dokumentacioni.
Por mbi të gjitha, jemi ndeshur me dëshirën e këtyre banorëve për t’i dhënë fund këtij kalvari.
Në këtë pikë, nga banorët e Bregut kërkoj vetëm dy gjëra: besim dhe bashkëpunim.
-Besim në procesin dhe në vullnetin tonë për ta kryer atë.
-Bashkëpunim me punonjësit tanë, për të ofruar gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe për të plotësuar të gjitha kërkesat tona.
Pas përmbylljes së këtij procesi që do të zgjasë disa muaj, në bregdetin e Jugut do të krijohet mundësia për investime të ligjshme, që nga ai pronari që do të hapë një dy apo tre dhoma për turistët pranë shtëpisë së tij, e deri tek komplekset dhe hotelet turistike të mëdha.
Gjithashtu, siguria juridike që do të krijojë ky proces, do të çojë në uljen drastike të konflikteve të pronës përgjatë gjithë zonës.
Në ditët në vijim, ne do të jemi vazhdimisht në kontakt si me mediat ashtu edhe me publikun, duke ofruar informacione të detajuara rreth procedurave, rreth zyrave të hapura në terren, do të njoftojmë për ecurinë dhe problematikat e ndeshura, etj.