Partia Demokratike, ka bërë sot përgjegjëse qeverinë, në lidhje me situatën e COVID-19, ku gjatë tre ditëve të fundit, ka rritje të rasteve. Dr, Mirela Tabaku, Përfaqësueja e grupit të punës për Shëndetësinë në PD, është shprehur sot në një deklartaë për mediat se spitalet, janë vatra më e madhe e përhapjes së infeksionit, sipas saj Ministrja e Shëndetësisë të largohet, ndërsa akuzoi qeverinë si përgjegjësen e vetme për rritjen e numrit të të prekurve me COVID 19.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, MIRELA TABAKU
Në emër të PD, më lejoni të bëj një falënderim për të gjithë mjekët, personelin ndihmës mjekësor dhe jo mjekësor për përkushtimin e jashtëzakonshëm në këtë periudhë të jashtëzakonshme. Në çdo prononcim publik, Partia Demokratike ka patur në vëmendje mbrojtjen e personelit mjekësor, për të ruajtur jo vetëm shëndetin e tyre, por edhe të qytetarëve.
Shifrat e ditëve të fundit për një shtim të ndjeshëm të numrit te infektimit të personelit në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë janë shumë shqetësuese. Kthimi i shërbimeve spitalore nga qendra trajtuese mjekuese në burim infektimi mbarëkombëtar, është tregues, më shumë se gjithçka, i keqmenaxhimit të situatës.
Dështimi për të mbajtur nën kontroll situatën në spitale ka pasoja direkte për shëndetin e qytetarëve.
- Mungesa e detyruar për një kohë të caktuar e personelit të infektuar do të reflektohet në cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. Disa shërbime në QSUT mund të mbyllen, që do të thotë se shume prej mjekëve tanë të nderuar të mos ofrojnë dot kujdesin dhe ekspertizën e tyre.
- Infektimi i personelit në shërbimet e QSUT-së, për shkak se qeveria nuk ka siguruar masat e duhura mbrojtëse për ta, do të thotë të rëndosh seriozisht gjendjen shëndetësore delikate të pacientëve të shtruar.
Është e pafalshme që kjo situatë të ndodhë në QSUT në këtë stad të epidemisë, si nga pikëpamja menaxheriale, ashtu edhe nga ajo shkencore.
Nëse do të ishin marrë mësimet e duhura nga eksperienca e vëndeve të tjera, ku infektimi i personelit ka ndodhur në fillimet e epidemisë, jo 3 muaj pas siç po ndodh tek ne, Shqipëria nuk do të paraqitej me një numër kaq të lartë personeli mjekësor të infektuar.
Nga 100 te prekur nga virusi në qendrat e punës, kryesisht në QSUT, pjesa më e madhe janë infektuar në këto javët e fundit. Ne mendojmë se ka disa arsye përse situata po përkeqësohet dhe përse spitalet janë kthyer në vatrat më të mëdha të infeksionit. Për këtë fajtorë nuk janë qytetarët, siç propagandon kryeministri, por vetë qeveria e tij.
- Testimet virologjike te personelit nuk po bëhen në mënyrë periodik.
- Mjetet mbrojtëse nuk janë në sasinë dhe cilësinë e duhur.
- Kontrolli i zbatimit të protokolleve mbrojtëse si për personelin, ashtu edhe për pacientët mungon.
- Mungojnë edhe testimet virologjike apo serologjike për pacientët e shtruar.
- Sensibilizimi i qytetarëve nuk është bërë siç duhet.
- Është injoruar zëri i ekspertëve dhe zëri konstruktiv i opozitës
Rritja e numrit të rasteve me COVID përmes qendrave spitalore është përgjegjësi direkte e qeverisë.
Në vend që kryeministri të bëjë fajtorë qytetarët dhe t’i kërcënojë me kthimin e karantinës, ai duhet të heqë dorë nga propaganda me facebook, të gjejë një ministre tjetër që ka prioritet shëndetin e qytetarëve, jo karrigen e vet, dhe të marrë masa urgjente që spitalet të mos jenë vatra infeksioni për qytetarët.