Polakët “rikthehen” në Shqipëri për pushime, agjencitë turistike nisin promovimin, ofertat për paketa pas 15 korrikut

Agjencitë polake kanë rinisur shitjen e paketave turistike që përfshijnë bregdetin shqiptar duke lajmëruar se pas 15 korrikut do të ketë fluturime dhe udhëtime me autobus.

Nga një vështrim i faqeve polake që kryesisht kanë sjellë turistë në vendin tonë vitet e shkuara ka nisur promovimi i destinacioneve të tilla si Ksamili dhe Durrësi me paketa all inclusive ose bed and breakfast (hotel dhe mëngjes) që nisin nga 280 euro e arrijnë deri në 500 euro për 9 ditë qëndrim.

Rinisja e shitjes së paketave erdhi vetëm një ditë pasi Bashkimi Europian rekomandoi hapjen e kufijve për disa vende që nuk janë pjesë e BE.

 

Shqipëria edhe pse e penalizuar lidhur me udhëtimin drejt BE të paktën sa i takon politikave të ndërmarra nga ana e Polonisë është trajtuar si një vend ku qytetarët e saj mund të udhëtojnë dhe pas kthimit nuk do të jenë të detyruar të qëndrojnë në karantinë 14 ditore. Agjencitë konfirmojnë se ka interes për Shqipërinë dhe Malin e Zi ashtu sikurse ka edhe për Greqinë dhe Turqinë të cilat kanë qenë destinacione të konsoliduara të tregut polak ndër vite. Në 2019 polakët shënuan rënie të shifrave sa i takon vizitorëve në venin tonë e argumentuar vitin e shkuar me faktin se Shqipëria ishte bërë e shtrenjtë.

 

Karantina pas kthimit nga pushimet shihet si një pengesë për turoperatorët outgoing pasi janë vetë turistët që refuzojnë të shkojnë në destinacione ku kthimi do të shoqërohet me izolim. Kjo është arsyeja pse disa agjenci të tjera nuk kanë fokusuar vëmendjen në paketat turistike të Shqipërisë. Në faqen e Apollo që ka edhe grupin e turistëve nordikë që kanë vizituar Shqipërinë nuk ka oferta të minutës së fundit që përfshijnë bregdetin shqiptar. Të paktën ato që dominojnë janë ofertat për në vendin fqinj si Greqia.

 

Turizmi këtë vit pritet të ketë një ecuri të dobët duke u fokusuar kryesisht tek ai vendas dhe ai tokësor që vjen në pjesën më të madhe nga Kosova. Në vitin 2019 numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë ishte 6.4 milionë duke u rritur me 8,1 %, në krahasim me vitin 2018.

 

Gjatë vitit 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra kishte rritjen më të madhe me 18,2 % ndërsa uljen më të ndjeshme Polonia me 13,9 %. Vitin e shkuar ishin mbi 132 mijë vizitorë nga Polonia ndërkohë që nga Kosova ishin 2.24 milionë vizitorë./monitor

Author: admin