KRUJË– Dy administratorë të dy klubeve nate janë oroceduar oenalisht. Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se janë proceduar dy persona me inicialet P. K., 41 vjeç dhe K. L., 42 vjeç, përkatësisht banues në Krujë dhe Milot. Ata akuzohen se kanë hapur veprimtarinë e lokaleve të tyre në mënyrë të paligjshme, duke qenë se në periudhë pandemie nuk lejohet aktiviteti i klubeve në natës. Gjithashtu, dy administratorët janë gjobitur edhe me nga 100 mijë lekë të reja (1 milionë lekë të vjetra), pasi nuk i janë bindur urdhrit të përsëritur nga punonjësit e Policisë, për mbylljen e aktivitetit.
Njoftimi i policisë Krujë
Kontrolle të shtuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Organizuan aktivitete me muzikë live në lokale nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e aktiviteteve, procedohen penalisht dhe ndëshkohen me masë administrative 2 administratorët e lokaleve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, për subjektet apo individët që zhvillojnë aktivitete në ambiente të mbyllura, duke mos zbatuar urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, si dhe në zbatim të urdhrit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 29.05.2020, “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, kanë evidentuar në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç, 2 lokale me muzikë live që ushtronin aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit P. K., 41 vjeç dhe K. L., 42 vjeç, banues në Krujë dhe Milot, administratorë të lokaleve me muzikë live, pasi nuk i janë bindur urdhrit të përsëritur nga punonjësit e Policisë, për mbylljen e aktivitetit. Gjithashtu, të dy subjektet janë ndëshkuar me masë administrative 100.000 lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Strukturat vendore të Policisë Krujë apelojnë për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të zbatojnë aktet ligjore dhe nënligjore për parandalimin e përhapjes së COVID-19.