Akuzat për vjedhjen e fondeve të rindërtimit nga tërmeti, Rama: Fondi i Solidaritetit administrohet nga BE

Kryeministri Edi Rama, ka qenë sot  në Durrës, ku ka startuar  programi i financimit të Bashkimit Europian si donatori kryesor i Konferencës së Solidaritetit në Bruksel, për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar.

Teksa fliste në këtë takim, Rama iu kundërpërgjigj disa akuzave të opozitës sa i takon fondeve të dhëna nga shtetet e BE, përmes fondit të solidaritetit. Kreu i qeverisë theksoi se fondet e mbledhura në Bruksel, administrohen nga vet BE.

“Të gjitha fondet e solidaritetit të BE, janë fonde që administrohen nga Bashkimi Europian. Nuk janë një thes që na e dhanë ne pas konferencës dhe ne e morëm dhe e tretëm, siç ju thotë fantazia atyre qe do e kishin bërë këtë gjë, ose mund ta kenë bërë me paratë e shqiptarëve në të shkuarën. I kërkoj ndjesë ambasadorit dhe miqve tanë, që janë partnerë në këtë projekt, duke kaluar më tutje me një shprehje falënderimi për të gjithë.”, tha Rama.

 

 

Author: admin