Ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në një prononcim nga selia blu, ndërsa publikoi raportin e fundit të SELDI 2020, u shpreh se “presioni i qeverisë për të shkatërruar konkurrencën në Shqipëri rezulton më e larta në total ku thuajse 50% e bizneseve ndjejnë një kërcënim serioz nga ana e qeverisë për t’iu dorëzuar monopolit”.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU
Presioni i qeverisë për të shkatërruar konkurrencën në Shqipëri rezulton më e larta në total ku thuajse 50% e bizneseve ndjejnë një kërcënim serioz nga ana e qeverisë për t’iu dorëzuar monopolit.
Gati 56% e bizneseve në fushën e farmaceutikës ndjejnë presionin e shtetit për t’iu dorëzuar monopolit dhe oligarkut që urdhëron qeveria. Ndërkohë që 5 nga 9 lloje biznesesh kërcënohen nga qeveria për të mbyllur biznesin apo për t’ia shitur atë një oligarku apo monopolisti.
Këto shifra tronditëse janë publikuar së fundmi në raportin SELDI 2020. Një tjetër dëshmi se kjo qeveri tashmë është totalisht në funksionin të interesave të oligarkëve të saj. Faktet e publikuara thuajse në çdo raport ndërkombëtar tregojnë qartë se për 7 vite me radhë ekonomia e vendit është prekur nga sëmundja shkatërruese e monopolit dhe oligarkisë.
Çdo nismë qeveritare deri me sot ka pasur vetëm një qëllim: shkatërrimin e ekonomisë së tregut dhe konkurrueshmërisë për interes të oligarkisë dhe monopoleve.
Këtë fakt e dëshmon dhe raporti i fundit i SELDI ku shkruhet e qartas se presioni i kapjes së shtetit në Shqipëri është 50%.
Duke u renditur kështu të parët në rajon.
Shteti është kthyer në zyrën noteriale që aprovon politikat fiskale të oligarkisë dhe monopoleve. Këtë e dëshmon dhe ky raport ku ligjet anti-monopol në Shqipëri kanë vlerësimin më negativ në zbatimin e tyre ne rajoni. 52 pikë nga 100 të mundshme – ky është vlerësimi për ligjet antimonopol të Shqipërisë në raportin e SELDI.
Sektorë të tjerë me shenja të kapjes së fortë nga shteti janë tregtia me shumicë jo e specializuar, shitja e karburantit, sektori elektricitetit dhe sektori i ndërtimit i cili po përdoret masivisht dhe për pastrim parash.
Qeveria e drejtuar nga Rama për gjithë këto vite nuk ka qenë miqësore me biznesin. Thuajse të gjitha raportet e Dhomave të Tregtisë, përfshirë edhe Dhomën Amerikane të Tregtisë, kanë raportuar problemin e monopolizimit.
Partia Demokratike është e bindur që një nga faktorët kyç në këtë situatë lidhet me politikat fiskale dhe të taksave që ka zbatuar Edi Rama.
Sot, praktikisht nuk ka më ekonomi tregu, sot jemi në një ekonomi të centralizuar ku mbijetojnë vetëm ato që vendos qeveria. Korrupsioni është oksigjeni përmes të cilit ky sistem mbahet në këmbë, një praktikë e shëmtuar që sot po vuloset me ligje, VKM dhe tendera të paracaktuar.
Sot, buxheti është dhënë me koncesion te miqtë e qeverisë, kontraktorët që janë miqtë të qeverisë përcaktojnë dhe detajojnë rregullat e tregut e deri te presioni punonjësve për të votuar për partinë në pushtet.
Nuk është habi që në mes të pandemisë në vend që të mbështeteshin bizneset e vogla hiqej TVSH për jahtet e hiqej renta minerare, që në vend të jepej ndihmë për të papunët paguheshin inceneratorët, që në vend të mbështeteshin pensionistët zgjatej afati i Ligjit të investimeve strategjike, prishej teatri e kaloheshin në parlament ligje me emra biznesesh.
Sot, ekonomia ka nevojë për frymëmarrje, ka nevojë për shpresë ka nevojë për konkurencë.
Ne do të heqim çdo barrierë që pengon konkurencën, nuk do të ketë asnjë koncesion në sektorë monopol, nuk do të këtë ligje speciale që favorizojnë 5 vetë e diskriminojnë 95% të bizneseve.
Çelësi i kthimit ne normalitet dhe zhvillimit është te ekonomia e tregut, te konkurenca Ne do ti japim mundësi kujtdo që me punën e ndershme do të ketë një sipërmarrje. Cdo investitori të huaj që do të invstojë në Shqipëri e çdo biznesi shqiptar që do të rritet e zgjerohet.
Pas 25 prillit dhe ekonomia do të shpëtojë nga Edi Rama.