Kur mendojmë për një përvojë “jashtë trupit” (out-of-body experience), mund të mendojmë për ngjarje që ndodhin, për shembull, pranë një aksidenti fatal, që janë kaq surreale, sa duket se ju nxjerrin nga realiteti juaj aktual, por praktika mistike e projeksionit astral në të vërtetë i lejon njerëzit të kenë përvoja shpirtërore, jashtë trupit, me qëllim.
Ju me siguri e keni dëgjuar këtë term paraprakisht, dhe mbase jeni njohur edhe me idenë e meditimit deri në “largimin” nga trupi juaj, gjë që tingëllon si diçka e mbinatyrshme, por rezulton se kuptimi i projeksionit astral është shumë më tepër se kaq.
Koncepti i projeksionit astral varet nga besimi se përveç trupave tanë fizikë, njerëzit gjithashtu kanë një “trup astral”, i cili nganjëherë referohet si një trup delikat, ose një trup i lehtë. Mund të mendohet gjithashtu si “shpirti” juaj.
Në shumë praktika ezoterike, ekziston edhe diçka që quhet “plan astral” – dhe përmes këtij plani, njerëzit mund të eksplorojnë gjatë projeksioneve astrale.
“Udhëtimet astrale” gjenden në kultura nga e gjithë bota dhe përmenden përgjatë historisë. Ato praktikohen dhe në ditët e sotme, gjatë praktikave mistike dhe shpirtërore.
“Projeksioni astral ose udhëtimi astral është aftësia për të lejuar trupin tuaj të lehtë, të shkojë përtej trupit fizik dhe të projektojë veten në një vend të caktuar, madje edhe në vende të veçanta në kohë”, thotë shamani* Laura Brown për Bustle.
*Shaman – Një person që konsiderohet se ka qasje dhe ndikim në botën e shpirtrave të mirë dhe të ligë, veçanërisht midis disa popujve të Azisë Veriore dhe Amerikës së Veriut.
“Unë kam punuar me projeksion astral për të dëshmuar civilizime antike dhe hapësira të tjera të shenjta në tokë, dhe gjithashtu e kam përdorur atë për t’u lidhur me fusha të mëtejshme për të fituar njohuri për punën time shpirtërore.”
Kjo praktikë lejon trupin tonë astral të udhëtojë përtej botës materiale rreth nesh duke përdorur mendjet tona.
Sipas besimtarëve, ne mund të zhvendosemi në sfera, që kapërcejnë kohën dhe hapësirën – njëlloj si të kesh një ëndërr, vetëm se je zgjuar dhe i vetëdijshëm për atë që po ndodh.
Si funksionon projeksioni astral?
Në thelb, projeksioni astral do të thotë të jeni në gjendje të ëndërroni, ndërsa jeni të vetëdijshëm. Qëllimi është që të kapërceni qenien tuaj fizike përmes mendjes tuaj. Trupi juaj fizik qëndron i vendosur gjatë procesit të projeksionit astral, dhe aventura zhvillohet tërësisht në mendjen tuaj.
Projeksioni astral nuk konsiderohet shkencë, por ndërsa shkenca mund të mos jetë në gjendje të provojë se shpirti juaj është jashtë në një aventurë, eksperimente të ndryshme tregojnë se është e qartë se ka një aktivitet interesant të trurit që ndodh e që tregon për një gjendje a përvojë ndryshe.