Policia Vendore në Durrës bëri me dije se ka finalizuar operacionin e koduar “Nënkalimi”. Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, sekuestruan rreth 38 kg lëndë narkotike marijuanë, ndërsa arrestohet në flagrancë një 44-vjeçar, poseduesi i lëndës narkotike.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se me një automjet po transportohej lëndë narkotike, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Nënkalimi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: P. L., 44 vjeç, banues në Tiranë.
Në aksin rrugor Laç-Fushë Krujë, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Fushë Krujës”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin P. L. Gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit u gjetën rreth 38 kg lëndë narkotike marijuanë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti “Volksëagen” dhe 2 aparate celular.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.