LSI: “Qytetarët në çadra, bashkia shpenzon 800 milionë lekë për zbukurimet”

Pas zbukurimit të qytetit të Durrësit për festat e fundvitit, ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim, në qytetin bregdetar. Me anë të një statusi në rrjetin zyrtar Facebook, LSI shprehet se ndërsa qytetarët e prekur nga tërmeti jetojnë ende në çadra, Bashkia e Durrësit shpenzon 800 milionë lekë për zbukurime dhe lule dekorative.

Postimi i plotë:

Qytetarët në çadra, Bashkia e Durrësit shpenzon 800 milionë lekë për zbukurime dhe lule dekorative.

Bashkia Durrës sapo ka postuar videon me zbukurimet e qytetit për festa.

Do ishte mirë që bashkë me videon të publikonte edhe faturën prej 800 milionë lekëshe për lulet dekorative dhe zbukurimet e t’ua tregojë edhe mijëra banorëve të Durrësit që po kalojnë dimrin e 2-të në çadra dhe kontenierë.

Ne nuk jemi aspak kundër festave, por kjo qeveri e bashki duhet të kuptojnë që Durrësi nuk ka prioritet zbukurimin por rindërtimin.

Aq më tepër me kosto afro 1 milion eurosh, me të cilën do ishin strehuar shumë e shumë familje të pastreha.

Për mijëra familje të Durrësit këto festa do jenë të dytat që do kalohen jashtë e larg shtëpive të tyre.

Jo vetëm që qeveria e bashkia nuk i kanë strehuar por edhe guxojnë të tallen me ato familje me shpenzime qindra milionëshe vetëm për zbukurime.

Më 25 prill, të gjithë së bashku ta largojmë këtë sekt abuziv, arrogant dhe të papërgjegjshëm.

Kontjana Kuçi

Kryetare e LSI Durrës

 

Author: admin