Fushata e nisur prej disa vitesh nga ambientalistë shqiptarë e të huaj në mbrojtje të lumin Vjosa në Shqipëri, kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e shumë personazheve të njohur në botë. Edhe aktori i famshëm Leonardo DiCaprio, ka reaguar vazhdimisht për këtë fenomen që mund të shkatërrojë mjedisin.
Si një nga ambasadorët e ruajtjes së mjedisit, DiCaprio i është bashkuar nismës për t’i thënë stop ndërtimit të HEC-eve, të cilat rrezikojnë lumin dhe biodiversitetin në zonat përreth tij.
Në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku numëron rreth 48 milionë njerëz në botë, aktori ka ndarë disa foto të lumit Vjosa dhe protestave të shqiptarëve për ta mbrojtur atë, bashkë me hashtagun #VjosaNationalParkNow.
“Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh i egër në Evropë. Nga malet e Greqisë deri në Detin Adriatik në Shqipëri, ai shtrihet në 300 kilometra, plotësisht i lirë nga barrierat artificiale, si digat e hidrocentraleve. Lumenjtë dhe përrenjtë që janë degë të Vjosës janë shtëpia e më shumë se 1.100 specieve të botës së egër, shumë prej të cilave janë të kërcënuara. Vjosa është kurora e zemrës së kaltër të Evropës dhe njerëzit në Shqipëri duan ta mbrojnë atë përgjithmonë. Ata po i kërkojnë qeverisë së Shqipërisë për të krijuar #VjosaNationalParkNow, i cili do të ishte parku i parë i lumit të egër në Evropë.”
“Le të bashkohemi me ta. Klikoni në linkun tim në bio për të parë filmin dhe për të nënshkruar peticionin”, shkruan DiCaprio në Instagram./shkoder.info