Parku Kombëtar i Valbonës, është renditur nga revista prestigjioze amerikane “Forbes” mes 5 bukurive mahnitëse natyrore të Ballkanit Perëndimor që duhen vizituar.Sipas “Forbes”, Lugina e Valbonës nuk është vetëm shtëpia e njerëzve, por në të shfaqet plotësisht edhe biodiversiteti i pasur i Ballkanit Perëndimor.
“Ndërsa majat e larta të maleve të kujtojnë majat e thepisura në Zvicër apo Austri, ky vargmal është në fakt pjesë e Bjeshkëve të Nemuna, një formacion që quhet edhe Alpet Shqiptare. Nuk mungojnë fshatrat idilike për t’u eksploruar në të gjithë Luginën e Valbonës, duke filluar nga Dragobia deri në Valbonë. Ky park ikonik është shtëpia e shumë më tepër sesa thjesht e njerëzve. Biodiversiteti i pasur i gadishullit të Ballkanit Perëndimor shfaqet plotësisht këtu, me arinj të murrmë, dhi të egër dhe rrëqebull, që të gjithë e quajnë parkun shtëpi”, shkruan “Forbes”.
“Forbes” rendit në listën e 5 bukurive mahnitëse për t’u vizituar në Balkanin Perëndimor edhe Parkun Kombëtar Una në Bosnjë, Parkun Kombëtar Tara në Beograd, Parkun Kombëtar Pirin në Bullgari dhe Parkun Kombëtar të Liqenit të Kerkinit në Greqi.
Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996-ës. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare. Ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri./ATSH