Muaji Korrik është i nxehtë jo vetëm për shkak të temperaturave të larta, por edhe ngjarjeve të flakta astrologjike. Meri Shehu, në parashikimin mujor në “Rudina” në Tv Klan, paralajmëron një hyrje të fuqishme të këtij muaji të ri, por edhe shumë shpenzime. Aq sa nuk do mbetet asnjë qindarkë në fund kështu që mos mendoni të kurseni. E rëndësishmja është që shumë prej shenjave kanë për të gjetur një partner afatgjatë, që më vonë mund të rezultojë në martesë.
Meri Shehu: Është një muaj që fillon shumë fuqishëm me lidhjen Mars katërkëndësh Pluton që është një lidhje super e flaktë dhe vjen të përmbyllë një temë që ka filluar që në 2020 me Saturnin dhe Plutonin në Bricjap dhe vjen t’i japë dimensione të tjera. Shpresoj që këto dimensione mos të kenë të bëjnë me emocione të forta, ekstremitete, luftëra, të cilat ndoshta ndonjëherë janë të pashmangshme.
Ajo çfarë është më e bukur është se ky muaj ekonomikisht nuk do të gjejë mirë askënd. Nuk e them që ta marrin për keq, por edhe centi më i vogël t’ju ngelet në xhep, Marsi që do hyjë në Dem do jua marrë dhe atë. Ky muaj na zhyt më keq. Marsi futet në Dem në datën 5 dhe duke hyrë në shenjën ekonomike, i shpon fare xhepat dhe merr çfarëdo që të gjejë, është si një hajdut i vogël, ndaj të gjithë duhet të kemi kujdes, megjithatë ta shijojmë.
Është dhe një muaj martesash sepse Afërdita është në Binjak dhe na ka dhënë një lirshmëri marrëdhëniesh, kontaktesh e njohjesh. Këto të paktën deri në datën 14 do jenë shumë të këndshme. Por aty Afërdita bën një lidhje jo të mirë me Neptunin dhe shumë njerëz mund të zhgënjehen nga ky fluks i madh energjie, kontaktesh, ndjenjash dhe të kërkojnë diçka që i bën të ndihen të sigurt. Pas datës 18 shumica do vendosin për martesë me një njeri që nuk ka pasur vetëm flirt e fjalë, por stabilitet. Pas datës 18, me Afërditën që hyn në Gaforre do shohim martesa, do shkojnë në shkallët e kishës ata që do japin betimin para Zotit dhe në shkallët e bashkisë ata që e bëjnë në mënyrë shtetërore. Do shohim e do kuptojmë që do ketë shumë lidhje të qëndrueshme.