Pavarësisht se tragetet kanë kryer më pak lundrime (krahasuar me 2019) dhe kufizimet për shkak të pandemisë kanë shkaktuar rënie të numrit të pasagjerëve, konstatohet qendrushmëri në transportin e mallrave, në Portin e Durrësit dhe më të madhin në vend. Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim, gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, kanë transportuar 563 mijë t mallra të ndryshme.
Kjo shifër është më e vogël se sa ajo e së njejtës periudhë të vitit të kaluar, për shkak të kufizimeve të lundrimeve prej pandemisë së Covid-19.
Nga të dhënat e sektorit të Statistikave, mësohet se gjatë këtyre 9 muajve tragetet kanë kryer 553 lundrime, ose 252 të tilla më pak se në janar-shtatorin e vitit 2019.
47,792 kamionë dhe trajlerë janë transportuar nga tragetet e linjave nga Durrësi gjatë këtij 9-mujori, ndërsa numri i autoveturave personale ka arritur në 50,592.