Kryetari i Partisë Demokrati, Z. Lulzim Basha, bashkëbisedoi sot me një numër sipërmarrësish të mëdhenj të sektorit të mobilerisë në Nikël të Fushë-Krujës. Qëllimi i kësaj vizite të Z. Basha ishte të dëgjonte drejtpërdrejt shqetësimet dhe kërkesat e tyre në këtë gjendje kolapsi të ekonomisë.
Prodhuesit e mobilerisë i janë shtuar listës së eksportuesve shqiptarë prej disa vitesh dhe furnizojnë klientë në rajon dhe veçanërisht në vendet e BE-së. Si prodhues, eksportues dhe punëdhënës të rëndësishëm, ata kanë marrë një goditje të rëndë nga politikat e gabuara fiskale, rënia e konsumit pas tërmetit dhe pandemisë dhe së fundi edhe nga braktisja e plotë e sipërmarrjes nga qeveria.
Në vend që të mbështesë me çdo mjet biznesin prodhues dhe veçanërisht eksportet, regjimi që mbledh taksat më të larta në Ballkan dhe ofron paketën më të vogël të ndihmës, edhe këtë ndihmë ua jep një grushti oligarkësh nga oborri i tij.
Basha diskutoi me sipërmarrësit Planin me 5 pika të Rimëkëmbjes Ekonomike dhe ndihmën konkrete që ky plan i ofron biznesit drejtpërdrejt dhe konsumit në tërësi.
Ndër instrumentat e ndihmës që Basha përmendi në këtë komunikim me biznesin, ishin:
Çeku prej 1000 euro për biznesin e vogël për 6 muajt e ardhshëm për të zbutur barrën e pagesave më urgjente;
Vendosja e një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin dhe subvencionimi i çdo norme interesi mbi këtë nivel për kredimarrjet për investime dhe shpenzime operative.
Zgjatja e afatit dhe zgjerimi i kritereve të përfitimit nga garancia sovrane në favor të një numri më të madh biznesesh prodhuese.
Mbështetja e biznesit me një pagesë mujore prej 200 mijë lekësh për 6 muajt e ardhshëm për çdo punëtor që rimarrin në punë.
Pagesa mujore prej 160 mijë lekësh për çdo shqiptar që ka humbur punën dhe shtesa mujore prej 20 mijë lekësh për çdo pensionist për 6 muajt e ardhshëm;
Subvencionim i 50% të qirasë ose heqje e taksës së pronës për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj;
Ky është plani ynë për mbijetesën e biznesit deri me 25 prill – u shpreh Z. Basha në përgjigje të interesit të sipërmarrësve për programin e opozitës – sepse vendi nuk është më i varfër, por vendi është i vjedhur.
Programi i Opozitës nis me sipërmarrjen e vogël dhe të mesme.
Ne kemi vënë në themel të programit taksën e sheshtë 9%.
Biznesi prodhues dhe eksportues do të marrë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga qeveria e Partisë Demokratike, siç mbështetet prodhimi dhe eksporti në çdo vend të rajonit dhe Europës.
Shpirti i sipërmarrjes shqiptare e ka shpëtuar Shqipërinë në momentet e saj më të vështira. Jam i sigurt se me qeverinë e Partisë Demokratike në krahun tuaj, do të jeni shumë më mirë ju, punonjësit tuaj dhe e gjithë ekonomia – garantoi z. Basha prodhuesit e kësaj zone.