Bombardimi nga forcat ruse, cilat janë rreziqet e shpërthimit të termocentralit më të madh bërthamor në Ukrainë

Në orët e para të 4 marsit, zyrtarët në Ukrainë kanë raportuar se forcat ruse kanë bombarduar një termocentral bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës. Ky është termocentrali bërthamor më i madhi në Evropë. Duke konfirmuar zjarrin, ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha në Twitter se ushtria ruse “po qëllon nga të gjitha anët” në kompleksin e këtij termocentrali bërthamore.

Kur filloi zjarri?

Autoritetet ukrainase thanë rreth orës 2:30 të mëngjesit të së premtes me orën lokale se një zjarr kishte shpërthyer në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, që ndodhet në Enerhodar, në juglindje të Ukrainës. Centrali është më i madhi i këtij lloji në Ukrainë dhe përmban gjashtë nga 15 reaktorët e energjisë bërthamore të vendit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Kur u shuan flakët?

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha se zjarri në ndërtesën e trajnimit të uzinës u shua në orën 6:20 të mëngjesit. Sipas deklaratës, nuk u raportua për vdekje apo lëndime.

A po luftojnë akoma?

Që atëherë, luftimet janë ndalur në zonë, tha një zëdhënës i termocentralit për CNN. Në një postim në Facebook herët të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për sulm të qëllimshëm ndaj termocentralit bërthamor, dhe u kërkoi udhëheqësve evropianë që të “zgjohen tani” dhe të ndalojnë forcat ruse “përpara se kjo të bëhet një fatkeqësi bërthamore”.

Sa serioze është situata?

Është e vështirë të thuhet pasi nuk dihet shumë. Por uzina nuk ka pësuar ndonjë dëm “kritik”, tha përfaqësuesi i objektit. Zjarri nuk ka prekur asnjë pajisje “thelbësore” dhe stafi po merr masa për të zbutur çdo dëm, tha IAEA, duke cituar autoritetet ukrainase.

A po shohim ndonjë rritje të rrezatimit?

Jo, rregullatorët bërthamorë dhe organet qeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainë thonë se nivelet e rrezatimit duken normale.

Cilat janë rreziqet?

Skenari më i keq do të ishte nëse një zjarr ose sulm do të arrinte te reaktorët, do të prishte sistemin e tyre të ftohjes dhe do të shkaktonte një shkrirje, e cila do të çlironte sasi të mëdha radioaktiviteti. Megjithatë, Graham Allison, profesor në Qendrën Belfer, Universiteti i Harvardit, i tha CNN të premten herët se “jo të gjitha zjarret në një termocentral kanë pasoja katastrofike”.

Author: publialb