Udhëzimi i parë i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, është ai për hapjen e konkursit dhe shpalljen e kritereve për emërimin e drejtuesve të rinj për 43 spitale.
Në mesin e tyre janë rreshtuar edhe QSUT, Qendra Spitalore Universitare “Mbretëresha Geraldinë”, “Shefqet Ndroqi”, SUOGJ “Koço Gliozheni” dhe Spitali Universitar i Traumës. Titullarët e këtyre 5 institucioneve, që u duk se i kishin shpëtuar shkarkimit, po ashtu do të zëvendësohen. Kryeministri zgjodhi t’i përjashtonte, me argumentin se ata nuk kishin ndenjur “duarkryq” në 4 vitet e shkuara.
Por kur nuk janë bërë ende dy muaj nga takimi, ministria i shpall si vende vakante.
Ministria e Shëndetësisë ka tagrin për shkarkimin e titullarit në rast se konstaton shkelje flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë nga gjykata për falsifikim dokumentesh, përvetësim fondesh, marrje ryshfeti dhe deklarim të rremë gjatë fazës së aplikimit.