Dita e 14-të e luftës në Ukrainë/ Rusia shpall armëpushim në disa qytete, Putin kërcënon Evropën

Prej 14 ditësh forcat ruse kanë pushtuar territorin Ukrainas duke bombarduar dhe shkatërruar gjithçka që u ka dalë para.

Ushtria e Volodymyr Zelenskyt prej dy javësh tashmë po i reziston sulmeve ruse të cilat kanë qenë të njëpasnjëshme.

Në ditën e 14-të të luftës Moska ka shpallur një tjetër armëpushim për të lejuar civilët në qytetet të cilat janë nën sulm të largohen.

Korridoret do të vendosen përsëri për Kiev, Chernihev, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol në orën 10:00 me kohën lokale [07:00 GMT]. Është hera e tretë që Moska shpall një armëpushim, mirëpo dy armëpushimet e para nuk janë respektuar nga Rusia.

Gjatë gjithë natës ka pasur sirena për disa sulme ajrore në disa qytete të Ukrainës, përfshirë Kievin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim të paprecedentë nga zyra e tij në Kiev për deputetët e Mbretërisë së Bashkuar në Dhomën e Komunave.

Ai iu referua Winston Churchill, duke paralajmëruar Rusinë se “ne do të luftojmë në pyje, në fusha, në brigje, në rrugë”.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi ligjin ku kufizoi importin dhe eksportin e një liste mallrash dhe lëndësh të para “për sigurinë e Federatës Ruse”.

Gjithashtu, Kremlini ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin me gaz në Evropë dhe ka paralajmëruar se çmimi i naftës mund të rritet me 300 dollarë për fuçi nëse aleatët perëndimorë rritin luftën e tyre ekonomike kundër Rusisë duke ndaluar importet e energjisë.

 

 

 

 

Author: publialb