Partia Demokratike në Durrës ka denoncuar sot mënyrën se si drejtohet qyteti bregdetar, ku shpesh investimet publike kryhen pa plan dhe për qëllime haptazi korruptive. Kryetari i demokratëve të Durrësit, Ferdinand Xhaferri, teksa ka nënvizuar faktin se tani jemi në kulmin e sezonit turistik, ka theksuar se rrugët e qytetit janë kthyer në kantjere ndërtimi, duke ua vështirësuar jetën si pushuesve, ashtu edhe vetë banorëve. Njëkohësisht, Xhaferri ka denoncuar zbatimin e projekteve që parashikojnë zgjerimin e trotuarëve, duke vënë në dukje se kjo bëhet për të përfituar më pas nga ndërtimi i parkimeve me pagesë.