Operacion masiv i policisë në. Durrës. Uniformat blu ushtrojnë kontrolle ndaj automjeteve luksoze. Eektivët e policisë me maska ndalojnë në rrugët kryesore të gjithë ata drejtues që kanë në përdorim automjete luksoze e të shtrenjta.
Mësohet se ky aksion vjen në kuadër të planit të masave operacionale “Vjeshtë 2017”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për forcimin e masave për goditjen e grupeve kriminale dhe kapjen e aseteve kriminale, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Operacioni është shtrirë në 12 Drejtoritë Vendore të Policisë.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bëri me dije një ditë më parë se drejtoritë vendore po punojnë për identifikimin e të gjithë personave për të cilët ka të dhëna se kanë ushtruar dhe ushtrojnë aktivitet kriminal, janë shqetësues për komunitetin dhe disponojnë, ekspozojnë, administrojnë dhe përdorin pasuri të lidhura me veprimtarinë kriminale apo që nuk justifikohen me burime të ligjshme dhe më pas në bashkëpunim me Prokuroritë, Gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Gjykatën për Krimet e Rënda kanë si qëllim sekuestrimin e konfiskimin e pasurive kriminale.