Gushti i martesave dhe i ndarjeve, ja si do t’ju shkojnë çështjet e zemrës gjatë këtij muaji

DASHI:

Venusi do të jetë planet aleat vetëm gjatë gjysmës së parë të muajit, por kjo nuk do të thotë se më pas do të kaloni kriza. Për shkak të disa angazhimeve profesionale, do të lini gjithçka tjetër në plan të dytë. Saturni është një tjetër planet miqësor me ju, një ndihmë e madhe për të dhënë këshilla apo nëse doni të ligjëroni lidhjet tuaja. Brenda ambientit të punës mund të lindë një interes i veçantë.

Në datat 19, 20, 25 dhe 26 do të jeni të tensionuar me personat e afërt që ju rrethojnë. Mos u kushtoni shumë rëndësi zënkave, përndryshe rrezikoni që ato të vazhdojnë edhe gjatë shtatorit.

DEMI: Në aspektin sentimental, gushti do të ketë gjëra interesante. Historitë e dashurisë që janë lënë pas dore, do t’i japin fund. Për disa do të jetë e vështirë të shkëputen, sidomos nëse janë të martuar. Keni vënë re një ndryshim te partneri ose edhe vetë ju ndiheni më të rritur në shumë aspekte. Ju këshillojmë që këto ndryshime t’i diskutoni, në të kundërt distancat mes jush do të shtohen.

Reflektoni. Shumë probleme në çift kanë lindur edhe sepse shumë prej jush e kanë punën larg. Ndoshta edhe një i afërm që s’ka qenë mirë ka ndikuar në krijimin e kësaj largësie. Bëni maksimumin që të gjeni energjitë dhe forcën që gjërat të kthehen si më parë. Rastet e xhelozisë në çift do t’ju çojnë drejt një ndarjeje të sigurt.

BINJAKËT: Çiftet e konsoliduara nuk kanë përse të tremben, por historitë e dashurisë që janë krijuar si për shaka këto kohë, do të kenë probleme. Pasioni do të jetë më i ulët këta muaj. Tradhtitë do të paguhen shtrenjtë, pasi lidhjet paralele nuk do të jenë aspak të suksesshme. Gushti nuk dhuron emocione të mëdha për të vetmuarit. Për arsye nga më të ndryshme, brenda familjes do të ketë tensione. Tekefundit, dikush duhet të punojë më shumë për të bërë pushimet. Keni një dëshirë të madhe të hiqni qafe njerëzit e bezdisshëm që keni përreth, ja pse duhet të përfitoni nga Venusi dhe më datë 16 t’i përballoni.

GAFORRJA: Jupiteri s’është më aktiv në shenjën tuaj, ja përse të gjithë ata që duan t’i çojnë marrëdhëniet më tej apo t’i ligjërojnë, duhet të hidhen në veprim. Kush është me fat dhe ka partnerin e duhur në krah, është gati që tani të formojë një familje. Në datën 16 mund të lindë një debat i vogël me dikë që keni kundër. Në datat 18, 19, 25 dhe 26 do të mërziteni nëse gjërat s’shkojnë në drejtimin e duhur. Gushti është muaj intrigues për aventurat sentimentale. Vlerësojini me kujdes edhe miqësitë e reja, pasi Mërkuri ju vjen në shenjë pas datës 11.

LUANI: Zemra juaj është plot emocione që prej muajit të kaluar. Madje, edhe çiftet që kanë pasur disi probleme, do ta gjejnë veten duke bashkëpunuar shumë mirë. Në datat 14, 15 dhe 21 do të ndiheni disi nervozë për shkak të vonesave që karakterizojnë këtë muaj. Lidhjet e krijuara këtë muaj do të jenë premtuese. Brenda në familje do të bëni disa debate në lidhje me pagesën e një qiraje apo të një restaurimi. Ekziston mundësia të humbni disa para nëse nuk gjeni njerëz të besueshëm. Komunikoni më së miri me të lindurit e shenjës së Peshores dhe të Dashit. Ky është një moment force për ata që kërkojnë dashurinë. Pasioni kthehet në fund të gushtit falë një takimi që nuk do të jetë aspak i rastësishëm.

VIRGJËRESHA: Ky do të jetë një muaj i mbarë për martesat dhe bashkëjetesat. Ndikimi i Venusit dhe Uranit në ditët e para të gushtit është shumë i rëndësishëm. Do ta keni të lehtë të gjeni një partner. Nëse sapo jeni ndarë, duhet kurajë, sidomos ju që jeni të ndrojtur. Java 9-15 do të jetë shumë interesante. Ju këshilloj t’i rezervoni pushimet dy javët e para të muajit. Këtë periudhë do të merrni frymë lirshëm, madje niveli emotiv është aq i lartë sa të ndiheni gati të hidhni një hap të madh në marrëdhëniet tuaja. Sinqeriteti juaj ju favorizon gjithmonë. Gushti sjell surpriza në dashuri.

PESHORJA: Venusi në shenjën tuaj do të sjellë plot lajme të reja, sidomos kur Saturni po ashtu të vijë në shenjën tuaj dhjetë ditët e fundit. Peshoret do të jenë gati të zgjidhin çdo keqkuptim të së shkuarës. Më mirë mendoni se çfarë dëshironi. Do të kërkoni më shumë në marrëdhënien tuaj, pa kurrfarë droje. Kur yjet janë kaq pozitivë, atëherë  edhe ata të vetmuarit apo ata që sapo janë ndarë do të futen në lojë. Mundësitë për të njohur dikë vërtet intrigues janë të mëdha. Njohje të reja në datat 20 dhe 22. Ka nisur një fazë e mirë, në të cilën keni lënë pas dyshimet.

AKREPI: Ky do të jetë një muaj i rëndësishëm në fushën sentimentale. Duhet të reflektoni se cilat janë raportet vërtet të rëndësishme. Nuk pranoni më kompromise në një lidhje. Kush nga ju do të përjetojë diçka kalimtare apo një aventurë, Venusi dhe Marsi ju ndihmojnë dhjetë ditët e para të muajit. Kush ka vuajtur me lidhjet e mëparshme, e ka të vështirë të besojë sërish pa paragjykuar. Çiftet e martuara prej disa vitesh duhet të vendosin pikat mbi “i” në lidhje me çështjet financiare. Mos i shtrini këmbët më shumë se jorgani. Beqarët i presin takime të reja dhe fantazia nuk ju mungon.

SHIGJETARI: Tensionet do të rriten shumë edhe në datat 2 dhe 3, të cilat do të jenë më të lodhshme. Nëse keni një lidhje që nuk po shkon mirë, mos bini pre e provokimeve. Nuk po ndiheni të lirë që bëni çka dëshironi dhe planetët po ju kufizojnë shumë. Kujdes nga debatet më datë 11 dhe 17. Do të përjetoni emocione të veçanta me një person të lindur në shenjën e Peshores ose të Luanit. Zemrat e vetmuara i këshilloj të dashurohen pa kërkuar garanci për të ardhmen, pasi fundi i muajit do të ketë surpriza. Edhe debatet në lidhje me financat s’do të mungojnë. Gjërat i nisni me një entuziazëm të madh, por diku rrugës humbisni. Kush është në kërkim të një shtëpie, do të vonojë ta gjejë.

BRICJAPI: Gushti do të nisë shumë bukur, sidomos dy javët e para në fushën sentimentale do të jenë të mbushura plot pasion. Edhe raportet e konsumuara prej kohësh, do të gjejnë entuziazmin e munguar. Çiftet e dashuruara mund të guxojnë edhe të bëjnë fëmijë nëse nuk kanë probleme psikofizike. Dy javët e dyta të muajit do t’ju befasojnë. Bëni kujdes nëse jeni të lidhur me partnerë të shenjës së Peshqve, të Dashit apo të Gaforres, sepse edhe pse qëllimet janë të mira, polemikat nuk do të mungojnë. Kush nga ju nuk do të dashurohet, do të bëjë gabim. Datat 25 dhe 26 do të jenë disi të tensionuara. Lidhjet e krijuara gjatë gjysmës së parë të muajit do të konfirmohen në fund të tij.

UJORI: Kush është në kërkim të një lidhjeje të re, duhet të përfitojë nga ky muaj veror. Takime të reja në datën 16. Uroj që çiftet e martuara të gjejnë kurajën të flasin dhe të përballojnë gjërat që nuk shkojnë. Të vetmuarit mund të përdorin edhe rrjetet sociale për të njohur njerëz të rinj, edhe pse ju nuk i pëlqeni të tilla gjëra, pasi Ujorët preferojnë raportet ballë për ballë. Ata që kanë kapërcyer problemet financiare, tani janë në kërkim të një shtëpie. Një qiell emocionues ky për njohjet e reja… Venusi ju mbështet plotësisht. Brenda jush do të zgjohet sërish besimi te dashuria, sepse zakonisht jeni të zhgënjyer.

PESHQIT: Edhe fusha e ndjenjave është e kushtëzuar nga kjo gjendje e tensionuar. Pjesa e parë e muajit do të shoqërohet me debate për të gjitha çiftet. Nëse keni marrëdhënie të paqarta apo të mbushura me dyshime, do t’i jepni fund. Nëse i lini gjërat pezull, do të bëni një gabim të madh. Nëse dashuritë me shikim të parë i shikoni si një ngushëllim, atëherë do të bëni një gabim edhe më të madh. Planifikoni pushime të qeta, përndryshe do t’i shtoni probleme vetes. Mund të gjendeni në një vend apo në një situatë, ku s’do të donit të ishit. Bëni kujdes në vlerësimin e historive të reja të dashurisë. Hidhni hapa të rëndësishëm kur të jeni më të sigurt.

Author: admin