

Nga Veli Haklaj
1) Bajram Curri në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare
Me origjinë nga fisi i njohur i Krasniqes (Malësia e Gjakovës), i lindur në Gjakovë, Bajram Curri u shque si veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, duke qenë një ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit. Ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit; drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908 – 1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë. Pas vitit 1912, luftoi në Kosovë për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë. Nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës së 1913, që shkëputën Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore nga shteti i pavarur shqiptar. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij.