“Hyjneshat” e skuptores Miftari, lajkmotiv i ekspozitës kushtuar 14 viteve rrugëtim drejt Europës

Tetë skuptura, të realizuara mjeshtërisht nga  Arjeta Miftari, një emër i konsoliduar arti në Kosovë, që simbolizojnë të shkuarën, të tashmën dhe të ardhmen,  janë bërë pjesë e një ekspozite personale.

Të vendosura artistikisht rreth një tryeze  pune, skulpturat e Miftarit, pjesë e ciklit “Hyjneshat” vijnë në ekspozitë në mënyrë simbolike si vazhdim i rrugëtimit të shtetit të Kosovës, për të qënë pjesë e Bashkimit Europian.

Shtëpia e Europës në Prishtinë, mundësoi realizimin e kësaj ekspozite, e cila tërhoqi vëmendjen e publikut dhe u hap më 24 janar, nën masat dhe protokollet anticovid.

Kjo ekspozitë vjen në prag të 14 vjetorit të Pavarsisë së Kosovës dhe nëpërmjet artit të saj, Miftari ka dashur të tregojë sfidat që ka kaluar në tërësi shoqëria kosovare dhe veçanërisht artistët për të prezantuar artin në Europë dhe në botë, në kushtet, ku ende duhet të përballen ende me liberalizimin e vizave.

Ngjyra e kaltër dhe e verdhë, nuk janë thjeshtë ngjyra që shkojnë artistikisht me njëra-tjetrën, por janë një përzgjedhje e autores për të sjellë simbolikat e Kosovës.

“Secila nga këto figura personifikon një person të caktuar,  ato komunikojnë mes vete për perspektivën evropiane. Skulpturat kanë ngjyrë të kaltër, që korrespondon me ngjyrën e flamurit të Kosovës dhe BE-së”,  thotë Miftari.

Ekspozita u shoqërua dhe me një sërë fotografish të realizuara gjatë momenteve të punës për krijimet e veprave.

“Fotografitë prezantojnë prapaskenat që vizitorët të shohin se sa vështirë është pjesa e proçesit të punës për përgatitjen  e një ekspozite”, tha Miftari.

Ekspozita ‘Hyjneshat” do të qëndrojë e hapur në Shtëpinë e Evropës deri më 24 shkurt 2022.

E.A/janar 2022/

Author: publialb