Si pasojë e motit të keq, në dy pika të kalimit kufitar do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë.
Policia dhe ARRSH njoftojnë qarku i Korçës, është përfshirë nga reshje bore të dendura dhe me qëllim shmangien e problematikave në qarkullimin e mjeteve, drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamiona), nuk do të lejohen nga autoritetet e policisë greke, të kalojnë në Stacionin e Policisë Kufitare.
Gjithashtu nuk do të lejohet kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, edhe në akset Qafë Thanë-Lin-Pogradec; Qafë Thanë-Përrenjas-Elbasan. Ky ndalim do të jetë i vlefshëm deri në njoftim të dytë për drejtuesit e mjeteve.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore Korçë, kanë shtuar prezencën e tyre nëpër akset rrugore, me qëllim orientimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Të gjitha akset rrugore kryesore aktualisht janë të kalueshme, vetëm me pajisje dimërore.
Këshillojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjetit, të respektojnë sinjalistikat dhe rregullat e qarkullimit rrugor, të reduktojnë shpejtësinë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme me qëllim që të mos krijojnë pengesa për borëpastrueset e firmave nënkontraktore në rrugë.