Ish-deputeti i Partisë Socialiste Eduart Ndocaj është ndaluar nga policia në Durrës dhe më pas është lënë sërish i lirë. Shoqërimi i tij është bërë dje (09.10.2017) teksa po kalonte kufirin në Durrës drejt Italisë.
Kaubojsi ishte shpallur në kërkim nga Sektori i Krimit Ekonomik të Policisë së Lezhës, pasi akuzohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka vjedhur një shtetasi italian në Itali, shumën prej 50 mijë € duke i premtuar një tender për shtrimin e një gazsjellësi në Shqipëri.
“Një shtetas italian ka kallëzuar se kaubojsi, kur ka qenë deputet, ka takuar një italian në Milano dhe i ka premtuar që do ta ndihmojë për të fituar tenderin për shtrimin e tubave të TAP. Për këtë gjë, sipas kallëzimit, kaubojsi ka kërkuar 50 mijë euro, të cilat italiani thotë që ia ka dhënë 2 herë nga 25 mijë euro. Por, duke qenë se nuk është bërë fare një tender i tillë, italiani ndihet i mashtruar dhe ka bërë kallëzim” bëjnë me dije burime nga policia.
Ndaj Eduart Ndocajt rëndon akuza për verën penale” Skemat mashtruese dhe piramidale”.
Pasi ndalimit në Portin e Durrësit nga efektivët e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Durrës, Ndocaj është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës, ku pas marrjes në pyetje është lënë i lirë.
Ndaj tij u referuan materialet në Prokurori dhe ish-deputeti po hetohet në gjendje të lirë.
Njoftimi i policisë Durrës për arrestimin e Ndocaj
Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian nje shume eurosh. Ne perfundim te veprimeve te kryera nga D.V.P Lezhe ndaj shtetasit E.N u referuan materialet ne Prokurori dhe ndiqet ne gjendje te lire per vepren penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.