“Këto janë orët më të zeza për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore” – këto ishin fjalët e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ai thotë se një fuqi e madhe bërthamore që sulmon një vend fqinj dhe kërcënon me hakmarrje ndaj çdo shteti që mund t’i dalë në shpëtim është shkelja më e madhe e ligjit ndërkombëtar dhe një shkelje e parimeve bazë të bashkëjetesës njerëzore.
BE-ja do të vendosë sanksionet më të ashpra që ka vendosur ndonjëherë, thotë ai.
Boris Johnson i Britanisë së Madhe tha se ishte i tmerruar nga ngjarjet në Ukrainë dhe se Vladimir Putin ka zgjedhur një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi duke nisur këtë sulm të paprovokuar. Mbretëria e Bashkuar do të përgjigjet me vendosmëri, tha ai.
Emmanuel Macron i Francës i cili kaloi orë të tëra në një takim kokë më kokë me Putinin dhe gjithashtu foli me të disa herë me telefon tha se Rusia duhet të ndalojë veprimet e saj ushtarake.
Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck tha se Evropa ishte duke parë një luftë tokësore “që ne menduam se do ta gjenim vetëm në librat e historisë”.