Sekretari i Përgjithshëm i LSI-se, Luan Rama, i kujton ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për listën me 124 emra trafikantësh e kultivuesish të drogës për të cilën siç thotë ai mbi një muaj e ca më parë, Kryeministri e pas tij edhe ministri teknik i PD-së, Demiraj deklaroi se kishin në dorë
Ja postimi ne facebook
Një kujtesë për Ministrin e Brendshëm!…
Çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?!…
I nderuar zoti Ministër!
Mbi një muaj e ca më parë, Kryeministri e pas tij edhe ministri teknik i PD-së që ju zevëndësoi për disa muaj në detyrën e Ministrit të Brendshëm, u shprehën publikisht se kishin një listë me 124 emra trafikantësh e kultivuesish të drogës!
Pa dashur të merrem me “tejkalimin e të drejtës” prej tyre në prononcimin për këtë listë, me vullnetin për të qenë përkrah jush, përkrah Policisë së Shtetit e të gjitha agjensive ligjzbatuese në sfidën e përbashkët të luftës kundër krimit të organizuar dhe kultivimit e trafikimit të drogës, më lejoni t’ju drejtohem publikisht se a ekziston vërtetë kjo listë?
E nëse ekziston, çfarë është bërë e çfarë po bëhet ligjërisht me të?
Nuk kam asnjë arsye të dyshoj në vërtetësinë e asaj që kanë deklaruar Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, pra në ekzistencën e listës, por meqenëse më pas nuk u fol më për të, nuk u fol as për hapat procedurialë ligjorë që duheshin ndërmarrë, po ju drejtohem juve, me shpresën që ajo listë të mos jetë bërë e pavlerë!
Prandaj, informojeni publikun zoti Ministër, çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?