Dielli përvëlues mbi Kuvajt gjatë muajve të verës është zakonisht një shenjë paralajmëruese për sezonin e udhëtimeve, një kohë ku shumë kuvajtianë drejtohen jashtë shtetit për t’i shpëtuar vapës së padurueshme.
Agjencia Kuvajtiane e Lajmeve, KUNA, ka listuar destinacionet e preferuara për të kaluar pushimet, ku kombinohen metropolet më të mëdha me mrekullitë natyrore frymëzuese. Në listë përfshihen kështu Londra, Milano dhe New York, e midis tyre edhe Shqipëria.
Mohammad Al-Awadhi, një investitor në pasuri të paluajtshme tregon për KUNA se fluturon shpesh drejt Shqipërisë, ku kalon çdo verë.
“Shqipëria mbetet gjerësisht e neglizhuar nga shumë turistë, por parajsa e fshehur përballë Italisë dhe e ngjeshur mes Greqisë e Malit të Zi ka plot për të ofruar për ata që kërkojnë një vend të qetë për t’u arratisur”, lexon artikulli.
“Vera në Kuvajt është shumë e nxehtë dhe është përcaktuar që do ta kaloj të gjithë verën jashtë shtetit çdo vit”, thotë Al-Awadhi në telefon nga apartamenti i tij, të cilin ai e përshkruan duke thënë se sheh nga mali i Tiranës (Dajti).
Ai shton gjithashtu se në vende si Shqipëria, aksesi në prodhime të freskëta organike është një përfitim i madh. “Mund të ndjesh një diferencë të dukshme me ushqimin këtu, është i gjithi me cilësi shumë të lartë”, shton Al-Awadhi.
Shkrimi vijon duke analizuar industrinë e turizmit të Kuvajtit, ku trendi sipas agjencive të udhëtimit është për destinacione gjithmonë e më pak të zakonshme, për aventura në të panjohurën./SCAN