Lobi Global Alban shpalos filozofinë dhe konceptin e organizimit të tij në Konferencën e Parë Kombëtare të mbajtur në Tiranë. I organizuar nga një grupim akademikësh dhe sipërmarrësish të Mërgatës, Lobi Global Alban do të jetë një platformë që synon bashkërendimin e mendjeve dhe gjithë potencialeve në të mirë të Kombit në nivele të ndryshme, nga përmirësimi I imazhit, tek nismat me karakter kombëtar në trojet shqiptare, lobimi në strukturat dhe organizatat ndërkombëtare në të mirë të fuqizimit të shqiptarëve.
Në konferencën e parë kombëtare të Lobit ku merrnin pjesë akademikë, diplomatë, intelektualë, sipërmarrës nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga Diaspora (Gjermania, Zvicra, Austria, Franca, Italia, SHBA) u shpalosën Platforma, misioni dhe koncepti mbi të cilin merr jetë Lobi Global Alban. Koncepti u prezantua nga z. Faton Kurti, profesor në Universitetin AAB në Prishtinë dhe kreu i Republikanëve në Kosovë, një nga ideatorët dhe themeluesit e Lobit Global Alban.
Kurti në fjalën e tij përshëndetëse e vuri theksin tek largpamësia dhe ndërtimi I së ardhmes nga vetë shqiptarët të cilët zotërojnë jo vetëm dije akademike dhe diplomatike por edhe integritet të lartë moral dhe dashuri për kombin.
“Lobizmi Shqiptar, – shprehet Kurti, nuk është një gjë e re, 13 dekada më parë Lobistët / Pionierët e çështjes Kombëtare filluan punën e tyre për të realizuar aspiratat tona Kombëtare.
Albanët po përjetojnë një Epokë të Re për të cilën paradhësit tanë vec ndoshta e kanë ëndërruar, por fatkeqësisht elitat tona shoqërore, intelektuale dhe politike nuk po tregojnë fare interesim për të shfrytëzuar momentin historik në të cilin ndodhemi dhe për ti cuar keto procese zhvillimore përpara për Kombin Alban!
I takon shumë pak njerëzve të ndryshojnë botën. Disa kanë karakterin dhe mundësinë për të ndryshuar së paku fatin e vendit apo përkatësisë së tyre kombëtare. Nga ky vokacion lind dhe merr formë edhe Lobi Global-Alban i cili bashkon mendjet dhe potencialin e disa njerëzve me vendndodhje të ndryshme gjeografike nëpër botë por që i bashkon dashuria për gjuhën dhe kombin”.
Më tej fjalën e morën Lobistë të shquar të Cështjes Kombëtare si profesori 93 vjecar Astrit Leka I cili me jetën dhe veprimtarinë e tij të pareshtur edhe sot në moshë të shtyrë është modeli I një aktivisti dhe Lobisti të Cështjes Kombëtare. Fjalën e morën gjithashtu edhe personalitete si prof.dr Agim Kocollari, Bardhyl Selimi, Deim Hyseni, prof. Hyzri Salihu dhe të tjerë që përshëndetën këtë nismë dhe u zotuan të bëhen pjesë aktive e tij në vendet prej nga vijnë.
Konferenca e parë Kombëtare e LGA ( Lobi Global Alban) përzgjodhi pas një votimi të hapur Kryesinë e Përkohshme prej 13 personash nga vende dhe me kontribute të ndryshme në shoqëri të cilët do të drejtojnë Lobin deri në Kongresin Mbarëkombëtar që do të mbahet pas disa muajsh në Prishtinë. Lobi Global Alban I cili ofron një drejtim rrethor jo piramidal parasheh si Kryetar nderi Ambasadorin e shquar William Walker një veprimtar I palodhur në të mirë të Cështjes Albane. Ky është thjesht një mision që të gjithë ne i detyrohemi rilindësve, atyre patriotëve shqiptarë që sakrifikuan gjithcka për gjuhën që flasim dhe Shqiponjën që mbajmë në Flamur.