Periudha më e mirë për të lexuar libra është padyshim stina e verës. Buzë pishinës, detit, mbasdite në park ose në shtëpi; dita më e gjatë na jep mundësi të jemi më pranë librit. Për këtë arsye, bashkë me kolegët e shtëpisë botuese Living, kujdesemi që të këshillojmë dhe emfatizojmë titujt më të mirë dhe të rinj.
“Luanët e Sicilisë”, është propozimi ynë i sotëm, kryevepra e shkrimtares italiane Stefania Auci, që tregon për historinë e një familje kalabreze që emigron në Palermo të Sicilisë për të zhvilluar më shumë bisnesin. Vellezerit Florio, Paolo dhe Injacio e shndërrojnë biznesin e tyre në më të mirin e qytetit, blejnë shtëpi, toka dhe krijojnë shoqërinë e tyre të lundrimit. Kur Vinçenco, i biri i Paolos, merr në dorë drejtimin e “Shtëpisë Florio”, hovi s’ka të ndalur: në kantinat “Florio”, një verë varfanjakësh shndërrohet në nektar të denjë për tryezën e një mbreti.
Ndërkaq, Palermo vështron e habitur arritjet e Floriove, por krenaria zbehet prej smirës dhe përçmimit të të tjerëve: ata burra të suksesshëm mbeten sidoqoftë “të huaj”. Palermo nuk e di se pikërisht dëshira e ethshme për të pasur një vend të denjë në shoqëri, qëndron në themel të ambicies së Floriove dhe shënjon, për mirë apo për keq, jetën e tyre. Burrat e kësaj familjeje janë njerëz të jashtëzakonshëm, por njëkohësisht të brishtë, ndonëse nuk e pranojnë, dhe kanë nevojë të kenë pranë gra po aq të jashtëzakonshme, siç është Xhuzepina, bashkëshortja e Paolos, e cila sakrifikon gjithçka, madje edhe dashurinë, për ta mbajtur familjen të bashkuar, apo Xhulia, vajza milaneze që hyn rrëmbyeshëm në jetën e Vinçencos dhe shndërrohet për të në një port të sigurt, në një shkëmb të pacënueshëm.
Prandaj këtë fundjavë, kliko te Botimet Living dhe zgjidh “Luanët e Sicilisë” për t’u zhytur në një histori të vërtetë dhe për të mësuar më shumë rreth zhvillimit industrial të Italisë ose siç e njohim ne sot./Pranvera Palushi