Ndryshimet kushtetuese kanë hapur një tjetër kapitull të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU, Christian Schmidt. Në reagimin e tij, Schmidt shpreh shqetësimin e tij për ndryshimet kushtetuese, ndërsa thekson se qeveria nuk duhet t’i bëjë këto ndryshime në mënyrë të njëanshme.
Po ashtu, politikani gjerman thekson se heqja e koalicioneve parazgjedhore nuk mund të realizohet pa dakordësimin e partive të tjera në Shqipëri.
Ndërkohë, raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU ka vlerësuar marrëveshjen për reformën zgjedhore të arritur mes palëve politike më 5 qershor të këtij viti.
“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to. Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”- shkruan raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag.
Reagimi i Schmidt është në të njëjtën linjë me Komisioneri npër Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili theksoi se ndryshimet kushtetuese nuk duhen të jenë të njëanshme, por gjithëpërfshirëse.