Përmes një postimi në “Instastory”, moderatorja e njohur Arbana Osmani ka treguar se lindja e bebit të dytë po afron, ndërkohë që ajo dhe partneri Eduart Grishaj janë treguar të hapur këtë periudhë për të rrëfyer planet e tyre të mëdha. Ndërsa pritjes së ëmbël po i vjen fundi, duket se pasi djali të vijë në jetë moderatorja ka plane për ceremoni dasme dhe hapjen e biznesit të saj, që do të jetë një restorant luksoz. Partneri i saj, Eduart Grishaj, i ftuar në programin “Pushime on Top”, ka rrëfyer detaje nga jeta e tyre. Regjisori i “Dua të të bëj të lumtur”, ndërsa ka eksploruar me biçikletë vende fantastike të Malësisë së Madhe, i ka treguar moderatorit, Flori Gjini, shumë sekrete nga jeta e tij personale, duke filluar që nga planet për dasmën, emocionet e para si baba, si dhe emrin e bebit, që do të jetë një emër tipik shqiptar.
“Dasmën nuk e di kur do ta bëjmë, por do ta bëjmë në Bogë. Arbana është pro gjërave të bukura dhe Boga futet te gjërat e bukura”, tha ai.
Pyetjes ‘a do ta sillje fëmijën në Bogë’, Eduarti iu përgjigj: “Siç më kanë sjellë mua në fshat dhe jam shumë i lidhur me të. Malësia e Madhe është si Hollivudi”.
Por si është Edi në jetën familjare, pasi dihet që u bë kohë që bashkëjeton me Arbanën?
“Jam më i mirë se në jetën profesionale. Me pjesën e filmit mendoj që ia kam dalë, ndërsa për pjesën e babait do ta shoh kur ta prek. Nuk i lexoj librat se si të bëhesh një baba i mirë. Mendoj që çdo gjë është instinktive. Ka njerëz që lexojnë shumë libra të tillë dhe pastaj kur vjen momenti i hedhin poshtë”, tregoi ndër të tjera.
Por, si ishin ndjesitë e tij të para kur mësoi se do të bëhej baba?
“Në fillim ishte shumë emocionuese. Më pas, me kalimin e kohës, kthehet çdo gjë në normalitet dhe pastaj fillojnë zënkat pse ma bleve këtë shalqinin kështu, po domatet pse s’i more të fshatit dhe thua kur po vjen momenti që të iki kjo periudha. A ka qenë periudhë sfiduese kjo për mua? Jo, ka qenë periudhë shumë e mirë. Unë vazhdoj dhe ha gjëra të mira të gatuara nga Arbana. Sepse unë vetëm i shijoj gatimet dhe maksimumi shkoj deri në market për të marrë produktet. Kaq bëj unë,”– tha ai.
Ndërsa për emrin e djalit që pritet të vijë së shpejti në jetë, Eduarti u shpreh se do të jetë tipik shqiptar.
Nga ana tjetër, Arbana ka rrëfyer në “Instagram” një tjetër plan të madh që ata kanë bërë përveç televizionit. Në “InstaStory”-n e Arbana Osmanit vështirë të kalojë një ditë pa video gatimesh e pjatash të ndryshme, pasion ky që e ka frymëzuar të botojë dy libra me receta gatimesh.
Por, duket se planet e saj do të shkojnë edhe më tej. Në aplikacionin ‘Ask me a question’ në “Instagram”, një nga ndjekësit e ka pyetur Arbanën: “Pse nuk hap një restorant?”. E kaq duhej, që moderatorja të zbulonte diçka për të ardhmen.
“Do ta hap sapo të jem pak më e lirë nga punët e tjera”, është përgjigjur ajo. Pra, Arbanën do ta shohim shumë shpejt në krye të biznesit të saj. Miqtë flasin se në fakt ajo e ka ideuar gjithçka dhe do ta finalizojë pas lindjes së djalit.
Moderatorja është në pritje të ëmbël, ndërsa pak javë më parë mbylli sezonin e “Dua të të bëj të lumtur”. Me fillimin e shtatorit, nuk dihet nëse Arbanën do ta shohim me ndonjë projekt të ri në ekran.
Megjithatë, me ardhjen e fëmijës në jetë, një ceremoni dasme VIP dhe hapja e restorantit janë dy projektet e mëdha të çiftit. Arbana dhe Eduarti e bënë publike lidhjen e tyre vitin e kaluar, gjatë premierës së filmit “Gjyshja”, një produksion ku Arbana ishte krahu i djathtë i partnerit të saj.