Newsbomb.al mëson se politikani i lartë që rezulton me dokumente se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, është ish-presidenti i vendit Ilir Meta. Njoftimi u dha pasditen e kësaj të marte nga Autoriteti i Dosjeve, vetëm me inicialet I.M, por ne mësojmë se bëhet fjalë për Ilir Metën.
Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme, nga deputet, kryeministër, kryetar i Kuvendit dhe së fundmi deri dy ditë më parë President i Republikës. Nëse ligji do të ishte ndryshuar dhe Kuvendi do kishte marrë parasysh kërkesat e Autoritetit të Dosjeve, Ilir Meta edhe mund të mos ishte bërë President.
Por vite më parë, para se të ngrihej AIDSSH, komisionet e njohura nga publiku si Mezini-Bezhani kanë dhënë certifikatat e pastërtisë së figurës për shumë emra, një ndër ta dhe Ilir Meta, shkruan newsbomb.al. Në këto kushte, Autoriteti i Dosjeve nuk mund të verifikojë figura të tilla nëse ato kanë një certifikatë pastërtie figure të mëparshme, vetëm nëse ndryshohet ligji.
Për t’u kthyer te Ilir Meta, mësohet se ish-presidenti i vendit dhe tashmë në krye të Partisë së Lirisë, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe dosja e tij ndodhet në arkivat e Autoritetit të Dosjeve. Sipas asaj që ne mësojmë, ka qenë një email anonim që i ka mbërritur AIDSSH, një orë pasi Meta doli nga zyra e Presidentit.
Personi i cili ka dërguar informacion, ka njoftuar Autoritetin e Dosjeve për periudhën kohore, ngjarjen dhe detaje të tjera që kanë çuar në identifikimin e politikanit të lartë I.M, i cili rezulton se është Ilir Meta. Kur anëtarët e Komisionit kanë bërë verifikimet përkatëse, sipas orientimeve dhe informacioneve në email-in anonim, kanë arritur në konkluzionin se bëhej fjalë për ish-kryeministrin, ish-kryetarin e Kuvendit dhe ish-Presidentin e vendit.
Po ashtu, newsbomb.al mëson se Ilir Meta ka spiunuar një shokun e tij, i cili të vetmin gabim që kishte bërë ishte se po mendonte të arratisej nga Shqipëria gjatë regjimit komunist. Meta ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin famëkeq dhe ka njoftuar për planin e shokut të tij.
Por se çfarë ka ndodhur më pas me të nuk ka asnjë informacion, pasi dosja nuk është deklasifikuar dhe konsiderohet sekret shtetëror. Materialet përkatëse i janë përcjellë Kuvendit të Shqipërisë.
“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë”,– njoftoi sot Autoriteti i Dosjeve.