Pamje tronditëse vijnë nga kufijtë e Ukrainës, teksa shihen mijëra fëmijë të ndarë nga baballarët e tyre, të cilët duhet të qëndrojnë në Ukrainë për t’u përballur me pushtuesit rusë.
Lot, dhimbje, britma, por edhe dashuria për të mbrojtur vendin, këto janë pamjet që vijnë nga kufijtë, ku burrave iu duhet të ndahen nga të dashurit e tyre për t’u kthyer mbrapsht e për të luftuar me agresorin rus.
“The Sun” publikon foto nga kufiri i Ukrainës me Poloninë, ku mijëra fëmijë, gra e nëna u ndanë dje me baballarët, vëllezërit, bijtë e burrat e tyre. Eksodi i madh pushtoi terminalin e trenit, 43 milje larg kufirit polak, duke shkaktuar jo pak rrëmujë. Burrat dërguan të dashurit e tyre në vend të sigurt dhe u kthyen mbrapsht për të marrë pjesë në luftë.
Njëri prej tyre, Sergei Motorov, 42 vjeç, tha “E lashë vajzën time me prindërit për ta mbrojtur nga ajo që ndodh, dhe tani po kthehem menjëherë në Ukrainë për t’iu bashkuar rezistencës”.
Gjithashtu, luftëtari vullnetar, Alexei Anishyn, 29 vjeç, paralajmëroi Presidentin rus, Putin, se “Unë do ta mbroj vendin tim deri në frymën time të fundit. Unë jam gati të vdes për ta shpëtuar a të. Ne jemi të gjithë bashkë. Putin duhet të vdesë”.
Kujtojmë se me nisjen e luftës, Ukraina nxori një ligj urgjent, që ndalonte të gjithë burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç të largoheshin nga zona e luftës.