Policia bregdetare e Vlorës, deklaroi se ka vënë në pranga katër persona, tre prej të cilëve shqiptarë dhe një egjiptianë, pasi akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë operacionit të koduar “Radhima”, zhvilluar nga policia e Vlorës janë arrestuar 4 shtetas, tre prej tyre shqiptarë dhe një egjiptian.“Shërbimet e Policisë gjatë operacionit kanë gjetur të strehuar në banesën e shtetasit P. P., 21 shtetas egjiptianë. Policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e banesës, shtetasin P. P., 54 vjeç, si dhe shtetasin egjiptian Y. Y., 31 vjeç, banues në Milano, Itali, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të 20 shtetasve me kombësi egjiptiane.” – njofton policia.Gjithashtu, policia ka arrestuar shtetasit R. B., 24 vjeç dhe A. B., 25 vjeç, të dy me banim në Drenicë, Kosovë.Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet policore në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke tentuar të ndihmojnë shtetasit marokenë M. E dhe M. J, për t’u futur në mënyrë ilegale në Pikën e Kalimit Kufitar Vlorë, me qëllim kalimin e tyre drejt shtetit italian.