Partia Demokratike, ka reaguar sot nëpërmjet ish deputetit Enkelejd Alibeaj lidhur me projektin e rrugës Milot – Fier, të prezantuar javën e kaluar nga qeveria.Demokratët e kanë quajtur një shfaqje propagandistike, prezantimin e saj dhe se bëhet fjalë për një projekt fantazmë, pasi tenderi nuk ekziston.
Në deklaratën për shtyp, Alibeaj iu drejtua me 4 pyetje kryeministrit Rama dhe ministres Balluku.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
Koncesioni i rrugës Milot-Fier është një nga vendimet më korruptive dhe që vjedh më shumë qytetarët shqiptarë. 1.2 miliardë euro është kosto e fryrë, deri në 6 fish më e lartë se bypass i Fierit, në mënyrë që tarifa e udhëtimit të jetë e lartë dhe ata që janë përfshirë në këtë aferë të pistë, të pasurohen akoma më shumë duke vjedhur qytetarët.
Projekti Milot-Fier është bërë me urgjencë dhe është trajtuar si një plan i vërtetë grabitje. Për këtë projekt nuk ka dokumenta, nuk dihet si u përzgjodh, nuk dihet kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion, nuk duhet si u përzgjodh konsulenti që doli në konkluzionin se rruga kushton 1.2 miliardë euro dhe një udhëtim kushton 17.4 euro.
Projekti Milot-Fier është akoma një projekt fantazëm, për të ekzistojnë vetëm fjalët e kryeministrit dhe Ministres së Infrastrukturës. Tenderi nuk ekziston i shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve, megjithëse, gjatë shfaqjes propagandistike 5 ditë më parë, Ministrja e Infrastrukturës, premtoi ndryshe.