Sezoni i ri i opozitës nis me ..zgjedhjet. Kryetari Basha e ka artikuluar fuqishëm reformën zgjedhore.“Reformimi i sistemit zgjedhor do t’i japë fund manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri”. – u shpreh ai
Basha e ka shprehur këtë koncept në fjalën e mbajtur në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane që po zhvillohet në Kopenhagen.
Në një njoftim të zyrës së shtypit pranë PD, thuhet se:
“Para Asamblesë, Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve politike në vend dhe ndau me politikanët e djathtë europianë vizionin e tij për të ardhmen e PD-së dhe të opozitës“.
“Në mënyrë të veçantë, ai theksoi rëndësinë që ka për opozitën dhe vetë demokracinë në Shqipëri reformimi i sistemit zgjedhor, për t’i dhënë fund përgjithmonë historisë së manipulimit të zgjedhjeve. Në bisedat me drejtuesit e partive simotra, Basha diskutoi gjithashtu mbi përballjen me sfidat për integrimin europian të vendit, dhe mori mbështetjen e tyre në këtë proces. Basha mori gjithashtu premtimin për vazhdimin e mbështetjes direkte politike të PPE-së dhe partive simotra për Partisë Demokratike, përfshi mbështetjen me këshillim dhe asistencë në lidhje me strategjinë dhe alternativën opozitare”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD.