Covid-19 nuk është i vetmi problem me të cilin po përballet njerëzimi. Kequshqyerja vazhdon të jetë një nga shqetësimet më të mëdha të profesionistëve të shëndetit, të cilët nga viti në vit ngrenë alarmin se popullsia e shumë shteteve po vuan brez pas brezi pasojat e saj.
Edhe Shqipëria është në listën e vendeve që duhet të luftojnë kequshqyerjen, në mënyrë të veçantë tek fëmijët. Raporti më i fundit i “Global Nutrition” (Report 2020), raporton se Shqipëria ka probleme të mëdha me fëmijët nën 5 vjeç, për sa i përket ushqyerjes.
Në mesin e problemeve theksohen mbipesha për fëmijët nën pesë vjeç, vonesa në rritje dhe zhvillim te kjo grupmoshë dhe pesha e ulët e lindjes së fëmijëve.
Por probleme të mëdha të ushqyerjes vihen re dhe tek grupmoshat më të mëdha, si tek gratë edhe tek burrat. 25.3 për qind e grave në moshën riprodhuese kanë anemi dhe 7.7 për qind e burrave të rritur vuajnë nga diabeti, krahasuar me 7.1 për qind të grave.
Ndërkohë, 21.8 për qind e grave dhe 21.6 për qind e burrave konsiderohen obezë. Prevalenca e mbipeshës dhe obezitetit është e theksuar në kryeqytet, ku diabeti (tipi dy) ka qenë gjithashtu në rritje, i cili është rezultat i faktorëve të ndryshëm që lidhen me stilin e jetës dhe dietën.
E ftuar sot në “Wake Up”, nutricionistja Albana Daka ngriti shqetësimin se fëmijët në vendin tonë po ushqehen keq.
“Kemi problemin e mbiushqyerjes në zonat urbane dhe nënushqyerjes në zonat rurale. Padyshim ne sot që flasim kemi përzierjen e vakteve, por kryesisht kemi shportën ushqimore të fëmijëve me ato që ne i quajmë ushqime mbeturina, të pasura me sheqerna dhe kalori.
Imuniteti nuk vihet për një vit, siç bënë njerëzit gjatë këtij viti pandemik. Por janë shtuar në shportën ushqimore patatinat dhe pijet e gatshme.
Prindërit duhet të kujdesen për regjimin ushqimor të fëmijëve. Studimi tregon se fëmijët 0-5 vjeç rreth 19 për qind janë të shkurtër për moshën, ndërsa 11 për qind shumë të shkurtër
Duhet të fusim një kulturë ushqimore familjare. Vijnë nëna që duan të bien në peshë dhe ndërkohë kanë në krah një fëmijë që ha patatina. Kemi anemi të fëmijët nga kjo ushqyerje pa elementët që fëmijëve u duhen.
Në zonat rurale kemi ushqime të varfra në ato elementë që çojnë më vonë në anemi dhe mungesa e hekurit”, theksoi Daka./korrieri.al