Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar punimet e fundit që po kryhen në shkollën e re 9-vjeçare “Fshat Rinia” në njësinë administrative të Katundit të Ri. Kjo shkollë sipas kryebashkiakes Emiriana Sako është ndërtuar e re me fondin e Bashkisë së Durrësit dhe do të ketë të gjitha hapësirat e nevojshme në 17 klasa, 3 laboratorë, 1 bibliotekë, 1 dhomë psikologu etj. Sipas Sakos godina e re do të mirëpresë pas pak ditësh 247 nxënës si dhe 25 fëmijë që do të shkojnë në kopshtin, edhe ai i ndërtuar i ri, e që është pjesë e kësaj shkolle. Kryebashkiakja Sako deklaroi se arsimi ka qenë prioritet i Bashkisë së Durrësit dhe mbështetja për këtë sektor do të vijojë edhe në vitin e ardhshëm. Krahas 31 shkollave që Durrësi përfiton nga procesi i rindërtimit Bashkia e qytetit ka vijuar me ndërtimin e shkollave të tjera të reja që janë parashikuar në buxhetin e Bashkisë si ajo “Fshat Rinia”. Kjo shkollë si edhe kopshti me të njëjtin emër janë ndërtuar me standarte të larta sigurie dhe do të kenë ambiente bashkëkohore.