Numri i turistëve serbë të cilët për pushime po e zgjedhin bregdetin shqiptar është në rritje. Sipas vlerësimeve të agjencive turistike nga Bujanoci dhe Presheva destinacion turistik del të jetë Durrësi. Kastriot Jakupi, menaxher i agjencisë së udhëtimeve ‘Glob’, nga Bujanoci ka thënë se turistët serbë zakonisht shkojnë në Durrës ku qëndrojnë gjashtë netë dhe u kushton 180 euro, transmeton lajmi.net. “Ne jemi të kënaqur se numri i turistëve serbë është në rritje këtë vit, përpos asgjenicsë tonë kërkesa për të pushuar në Shqipëri ka edhe në agjencitë e tjera. Në krahasim me vitin e kaluar numri është rritur në 35 për qind. Zakonisht transporti organizohet nga Gjilani”, ka deklaruar Jakupi. Sipas tij, vendi më i veçantë për pushime është Saranda ku çmimi me pako të plotë për gjashtë netë përfshirë transportin nga 275 euro në korrik bie në 225 euro për periudhën në gjysmën e parë të shtatorit. Ai ka shtuar se preferenca ka edhe për qytetin e Vlorës, Velipojën, Shëngjinin si dhe, Himarën dhe Jalën. Në krahasim me Greqinë çmimet e pijeve, kafeve dhe ushqimit në restorante janë deri 30 për qind më lirë. Çmimi i biletës kthyese nga Gjilani me autobus është 20 euro për Durrës dhe 25 euro për Sarandë. Sipas Jakupit, shumica e turistëve të cilët kanë kaluar pushime në bregdetin shqiptar ishin nga Rumania, Gjermania dhe Franca. Miodrag Stojkoviq nga Vladicin Han ka treguar se për vite me radhë kalon pushimet në bregdetin shqiptar dhe se nga sezoni në sezon Shqipëria po bën përparime të mëdha për të fituar standardet evropiane. “Plazhet janë të pastra dhe të bukura, pritjet janë miqësore për të gjithë mysafirët. Nuk iu kushtohet asnjë vëmendje çështjeve politike ata përpiqen të jenë në shërbimin tuaj në çdo hap ndërsa komunikimi më i mirë është në gjuhën angleze”, ka thënë Stojkoviq.