“Shumë rënie, asnjë ndihmë’, pronarët e bizneseve të vegjël në Tiranë i ankohen Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot në njësinë 11, në Tiranë, ku zhvilloi takime me biznesin e vogël. Në vëmendje ishte kriza ekonomike e krijuar nga keqqeverisja dhe që ka dalë në pah nga pandemia e COVID-19. Kryetari Basha u njoh me situatën e rëndë në këtë zonë dhe krizën që po përjetojnë këto biznese.

 

 

“Sa vjen, me shumë vështirësi, me shumë vështirësi. Ta mbyllim? Të rrijmë në shtëpi fare, s’bëhet. Ça do bëjmë? Ça mund të bëjmë , të bëjmë. Ça t’i bëjmë, ja mbaj djalin këtu. Mbaj dhe shkollën dhe djalin dhe vetë, familjen, kemi 2 punëtorë. Me sforco të mëdhaja. Me shumë sforco të mëdhaja.” – u shpreh pronari i një Fast-Food-i.

 

“Shumë e vështirë gjendja. Ja ky dyqan mban 6 frymë në shtëpi. 4 janë fuqi punëtore që mund të punojnë. Asgjë hiç, s’ngelet. Veç hamë, s’e marrim vesh. I kemi këtu dhe merr ço në shtëpi. Që tek djathi, që tek frutat, zarzavatet, perimet, këto. Ja arka plot me mollë, shih si rri. Kush do ta blejë?” – tha një pronar marketi ushqimor.

 

Gjatë takimit, përfaqësuesit e biznesit thonë se po presin ndonjë ndihmë tjetër nga qeveria, sepse tani po kalojnë kohë shumë të vështirë.

 

“Po të kishim një farë ndihme të paktën për punëtorë apo diçka për biznesin, diçka, ose ça mund të bëhesh ndonjë gjë përshembull, se tani është kohë e vështirë shumë, kemi kaq kohë që po presim”.

Një tjetër shqetësim i biznesit është rënia e fitimit si pasojë e rënies së konsumit, gjë që sipas tyre po çon bizneset në falimentim.

“Pandemia e bëri të vetën. Kemi goxha rënie, por s’kemi ça i bëjmë. Pas pandemisë ka pasur shumë, të paktën 30% minimumi dhe vazhdon se të ishte se do të kishte ndalu do ishin mirë. Gatuajnë nga frika nëpër shtëpia. Nuk dalin, gatuajnë brenda”, – tha pronari i një furrë buke.

 

Basha ngriti zërin për situatën e keqe ku ndodhet biznesi në Shqipëri, që sipas tij është braktisur totalisht nga qeveria.

 

“Cikli negativ duhet ndalur dhe duhet të nisim një cikël pozitiv rritjeje. Për këtë, qëndrimi ynë ka qenë i qartë prej fillimi. Të gjitha të ardhurat e shtetit në këtë kohë duhet të shkojnë tek familjet në nevojë dhe tek biznesi. Këtë formulë nuk është se e kemi shpikur ne. Këtë po bën Maqedonia, këtë po bën Kosova, këtë po bëjnë dhe vendet e zhvilluara. Natyrisht, s’mund të arrijmë kurrë Anglinë apo Gjermaninë, por të paktën të bëjmë maksimumin siç po bëjnë vendet e rajonit. E kemi detyrë ndaj qytetarëve dhe ky është edhe premtimi kryesor që bëjmë sot, dhe nesër do keni një qeveri që ta keni në krahun tuaj. Pa ju dëgjuar edhe pa ju kuptuar është e vështirë pastaj t’ju ndihmosh. Gjëja e parë, detyra e parë që ka dikush që kërkon t’ju shërbejë njerëzve, është t’ju dëgjojë, të kuptojë problemet edhe pastaj t’ju ndihmojë. Duhet të bashkojmë forcat. Duhet secili të bëjë detyrën e vet. Edhe unë garantoj që do të keni një qeveri që do të bëjë detyrën e vet. Siç bën ti detyrën tënde si prind, si familjar, si punëdhënës me këta njerëz që i mban këtu, u paguan rrogën, edhe në si qeveri nesër do të bëjmë detyrën tonë. Do t’ju ndihmojmë ju, do të ndihmojmë çdo familje në nevojë. Dhe na duhet një ndryshim i menjëhershëm, na duhet një qeverisje e re, na duhet një ndryshim i ri sepse kështu nuk ecet. Nuk mundet që të gjithë paratë e qytetarëve sot kur kanë më shumë nevojë për ato para të shkojnë në një drejtim tek 5-6 njerëz, ndërkohë që qindra-mijëra të tjerë nuk sigurojnë bukën e përditshme për të mos folur për fruta perimet, nuk sigurojnë dot ilaçet.”, – nënvizoi Basha gjatë takimit me biznesin në njësinë 11, në Tiranë.​

 

 

 

Author: admin