Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për një tryezë gjithëpërfshirëse për të diskutuar për integrimin.
Në një reagim në Facebook, gjatë mbrëmjes së sotme, Basha e quan thirrjen e kryeministrit Rama si hipokrite.
Basha thotë se kryeministri ka dështuar me integrimin, ndaj nuk mund të maskohet pas thirrjeve hipokrite.
“Edi Rama dhe qeverisja e tij e kanë mbajtur peng integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkakun e tij gjatë këtyre viteve kushtet janë shtuar nga 5, në 9 dhe tani janë 15 që duhen përmbushur. Ky është një dështim i Ramës, që nuk mund të maskohet dot pas thirrjeve hipokrite.
Pandemia për fat të keq tregoi edhe njëherë se Rama vazhdon të vjedhë dhe mashtrojë njerëzit duke i lënë ata pa ndihmën ekonomike që u takon të marrin nga shteti.
Pandemia tregoi se ai vazhdon ta përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin me krimin e organizuar në një fushatë të turpshme të pastrimit të parave të pista. Pandemia tregoi se ai e vendos veten mbi ligjin dhe kushtetutën dhe se për veten dhe klientelën e tij shkel mbi gjithçka.
Vendi tani është para një krize të thellë ekonomike sepse në vend që t’ju japë mbështetje njerëzve dhe ekonomisë, Rama po jua jep paratë e shqiptarëve një grushti klientësh dhe oligarkësh.
Kjo krizë vetëm sa nxorri zbuluar të gjitha dështimet e Ramës: shëndetësinë e vjedhur, ekonominë e rrënuar, papunësinë e rritur, varfërinë në ekstrem, dhe shtetin prej kartoni të katandisur në regjim facebook-u. Janë dështimet e Ramës që po varfërojnë përditë njerëzit, po e rrënojnë ekonominë, dhe po na largojnë nga Europa.
Zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave është jetik për Shqipërinë dhe udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike, ku e ka zhytur Rama dhe regjimi i tij kusar”, shkruan Basha në reagimin e tij./noa.al/