# Kryemadhi drejtpërdrejt nga Durrësi bën thirrje: Koha për ndryshim, Ramën do ta paketojmë 3D (VIDEO)

> Kryetarja e LSI-së,  Kryemadhi zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Durrësit, ku ndër të tjera tha se në 25 prill do t’i jepet fund&hellip;

**URL:** https://publialb.al/kryemadhi-drejtperdrejt-nga-durresi-ben-thirrje-koha-per-ndryshim-ramen-do-ta-paketojme-3d-video/
**Published:** 2021-04-19
**Modified:** 2021-04-19

---

Kryetarja e LSI-së,  Kryemadhi zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Durrësit, ku ndër të tjera tha se në 25 prill do t’i jepet fund tranzicionit. Teksa iu referua projekteve të qeverisë, që opozita i konsideron si 3D, Kryemadhi tha se në 25 prill të rinjtë do ta paketojnë Edi Ramën 3D dhe do ta çojnë para gjykimit qytetar.

Postimi i plotë:

*“Unë jam e bindur se në 25 prill do t’i japim fund tranzicionit të kalbur duke votuar LSI. Ju besoni tek LSI, ju sot keni ardhur me fëmijët tuaj këtu. Familja është forca e LSI. Ne e duam familjen, ne e respektojmë familjen. Vlerat e familjes për ne janë më të rëndësishme.*

*Boll më me projektet 3D të drejtorëve të pushuar nga puna, boll më solle mashtrues me projekte 3D. Shqiptarët janë më të zgjuar dhe më të mençur. Ne e dimë shumë mirë që një injorant nuk drejton dot qytetarët e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.*

*Prandaj me mashtrimet e tij 3D po ja bëj të qartë. Të rinjtë dhe të rejat e Durrësit do ta paketojnë Edi Ramën 3D, ashtu siç i bën ai projektet e tij 3D, për të paketuar dhe shkatërruar të ardhmen e të rinjve. Në 25 prill do ta çojnë përballë gjykimit qytetar dhe zotit lart”,* u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e LSI u ndal edhe tek procesi i rindërtimit në Durrës dhe premtoi se *“do ta çojmë deri në fund angazhimin tonë për rindërtimin e të gjitha shtëpive të tërmetit, për t’i çuar të gjitha familjet durrsake, të Bubqit, të Thumanës e kudo, në shtëpitë e tyre të sigurt dhe të jetojnë si qytetarë dinjitozë”. *

*“Si gjithmonë, Edi Rama nuk të lë asnjëherë pa të zhgënjyer. Si gjithmonë siç zhgënjen në jetën personale, ashtu zhgënjen dhe në jetën politike. Tek e dëgjoja dje, mendoja vërtetë se do të thonte diçka të mirë. Mendoja vërtetë se do të kishte çelësat në dorë për mijëra e mijëra familje durrsakësh, të cilëve do u jepte shtëpitë dhe do mbante premtimet për shtëpitë që do të dorëzonte brenda vitit 2020. Por po ikën 2021, kanë kaluar mbi 18 muaj nga konferenca e famshme që bëri në Bruksel, ku mori 1,2 miliardë euro dhe sot vazhdojnë me mijëra familje të Durrësit, të cilat u prekën nga tërmeti i nëntorit, që flenë në çadra. *

*Më lejoni, që ne si partia e fjalës së mbajtur, si partia që u qëndron angazhimeve të saj, do ta çojmë deri në fund angazhimin tonë për rindërtimin e të gjitha shtëpive të tërmetit, për t’i çuar të gjitha familjet durrsake, të Bubqit, të Thumanës e kudo, në shtëpitë e tyre të sigurt dhe të jetojnë si qytetarë dinjitozë. *

*Ky premtim nuk është thjesht premtim elektoral, ky është një premtim që ne e kemi filluar që me banorët e Kombinatit. E kemi ndjekur hap pas hapi dhe do ta çojmë deri në fund. Ashtu siç fituan shkallën e parë në gjyq banorët e Kombinatit, ku Erion Veliaj me Edi Ramën, donin t’iu grabisnin pronat e tyre, edhe pse të dëmtuara nga tërmeti, ne qëndruam dhe luftuam deri në fund. Sepse të drejtën e fukarait nuk e tjetërson dot as Rilindja, as Bajlozi i ngordhur, asnjë gjë tjetër që kërkon Edi Rama të instalojë në Shqipëri”*,- tha Kryemadhi.

---

**Categories:** Politike
