# Mbyllet numërimi i votave në të 12 qarqet/ Kush e theu herësin e siguroi mandatin dhe cilët mbetën jashtë PS-së. Ja si renditen krerët e partive

> Procesi i numërimit të votave preferenciale të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit ka përfunduar. Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e ‘Top Channel’,&hellip;

**URL:** https://publialb.al/mbyllet-numerimi-i-votave-ne-te-12-qarqet-kush-e-theu-heresin-e-siguroi-mandatin-dhe-cilet-mbeten-jashte-ps-se-ja-si-renditen-kreret-e-partive/
**Published:** 2021-04-30
**Modified:** 2021-04-30

---

Procesi i numërimit të votave preferenciale të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit ka përfunduar. Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e ‘Top Channel’, Kristi Gongo, e cila theksoi ndër të tjera se në sistemin e KQZ-së kjo gjë nuk është pasqyruar, por se kemi të bëjmë vetëm me një vonesë teknike.

**Kush theu herësin?**

Kandidatët që kanë mbetur jashtë listave fituese janë të shumtë, në secilën do parti, por në qarkun më të madh, Tiranë, nga radhët e PS-së, ndër emrat më të njohur në politikë që kanë mbetur jashtë janë: **Pandeli Majko **dhe** Mimi Kodheli.**

Majko ishte i renditur i 19-ti në listë, ndërsa PS siguroi në Tiranë 18 mandate. Kurse Kodheli ishte e renditur e 21-ta, por nuk arriti që të thyente dot herësin, sikurse **Fatmir Xhafaj**. Ky i fundit ndonëse ishte renditur i 23-ti arriti të thyente herësin duke i marrë kështu vendin edhe kryetarit të PS-së në Tiranë, **Ervin Bushati.**

Po ashtu edhe kandidati **Ornaldo Rakipi,** nga radhët e PS-së arriti që të thyente herësin dhe t’i merrte vendin **Fidel Yllit**, duke e nxjerrë këtë të fundit nga radhët e deputetëve.

Ndërsa nga radhët e PD-së, herësin e theu në Elbasan kandidati **Luçiano Boçi**, i cili arriti që t’i merrte vendin kandidatit **Eugen Isaj.**

**Sa vota morën krerët e partive kryesore?**

Kreu i Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar, Lulzim Basha ka mundur të sigurojë më shumë vota se tre kundërshtarët e tjerë politikë, Edi Rama, Tom Doshi dhe Monika Kryemadhi.

**Lulzim Basha,** i cili kandidonte i pari në Tiranë ka siguruar 16,073 vota, ai ndiqet nga kryeministri **Edi Rama, **që ka kandiduar në Vlorë dhe Durrës duke siguruar 15,871 vota, pas tij vjen **Tom Doshi**, kreu i PSD-së me 7,886 vota dhe në fund mbetet kryetarja e LSI-së,** Monika Kryemadhi **me 2,436 vota, një numër ky relativisht i ulët.

**Top Channel**

---

**Categories:** Aktualitet
