# "Nuses sime"  Dëshmores së Atdheut "Prena Ndoja Ukas "

> Ma vranë Prena Ukën, ma vranë, mi lanë netët pa Agim, mi rrafshuan malet Alpine, ma vranë dragoneshën time. Patëm vallëzuar mes plumbash, e ëma&hellip;

**URL:** https://publialb.al/nuses-sime-deshmores-se-atdheut-prena-ndoja-ukas/
**Published:** 2023-04-29
**Modified:** 2023-04-29

---

Ma vranë Prena Ukën,

  ma vranë,

mi lanë netët pa Agim,

mi rrafshuan malet Alpine,

ma vranë dragoneshën time.

Patëm vallëzuar mes plumbash,

e ëma na qonte lajmin e vdekjes,

i vëllai na sajdisi “fishekun e pajës”;

u kthyem mesazhe pëllumbash

përmes grykës së pistoletës

si ftesë në festën e dasmës.

Ma vranë Prena Ukën,

  ma vranë,

lulet e kopështit mi thanë

ujitur e rritur prej Prenës,

ma vodhën “Lulen e Jetës”!

Ma thanë limoneshën, Lulen Shqiponjë,

400 breza mi shkelën, pa Kuran e Bibël,

gjurmë të përgjakta zemrës më lanë,

kujtesës ato 5 vite të monogamisë sonë

mbetën si foshnje e vdekur brënda në mitër

se dhe mua më vranë

  kur Prena Ndue Ukën ma vranë.

Ma vranë Prena Ukën,

  ma vranë,

tani emri i saj të rrisë ndonjë fëmijë,

fantazma ti shëtisë rrugëve të Rrëshenit,

mua mornica më shkojnë

  dhe prej shqiptimit të emrit.

Andris Lleskai

Janar 2023

![](https://publialb.al/wp-content/uploads/2023/04/received_2307917999381316-254x300.jpeg)

Prena* – Emri i vërtetë i personazhit të “Cuca e Maleve” të Loni Papa-s, luajtur në dramë, balet, e deri në film; Mësuesja e parë e Mirditës, e cila dha mësim fshehurazi në vitet 1945-1950, emancipoi femrat, por u vra nga “Komiteti i Maleve” për thyerjen e traditave sepse femrave nuk  u lejohej arsimimi. Emrin e saj e ka Kopështi i Rrëshenit të Mirditës.

---

**Categories:** Histori njerëzore, Kulture
**Tags:** Nuses sime. “Dëshmores së Atdheut” Prena Ndoja Ukas "
