# Odisea e mbetjeve urbane të Durrësit në finish, do të udhëtojnë drejt Sharrës

> Situata alarmante e krijuar nga mungesa e një vendgrumbullimi për mbetjet urbane të Durrësit ka shoqëruar edhe këtë të martë. Mbyllja e landfillit në Porto&hellip;

**URL:** https://publialb.al/odisea-e-mbetjeve-urbane-te-durresit-ne-finish-do-te-udhetojne-drejt-sharres/
**Published:** 2020-06-16
**Modified:** 2020-06-16

---

Situata alarmante e krijuar nga mungesa e një vendgrumbullimi për mbetjet urbane të Durrësit ka shoqëruar edhe këtë të martë.

Mbyllja e landfillit në Porto Romano ka krijuar një ngërç institucional. Që në nisje, Bashkia e Durrësit ka shpallur pafuqinë financiare, për t’i dërguar këto mbetje në Sharrë, duke e shndërruar qytetin në një vatër infeksioni.

Kërkimet për një vendgrumbullim në një nga njësitë vendore, nën juridiksionin e institucionit të qeverisjes vendore Sukth apo Manëz rezultuan të pasuksesshme, pasi hasën në kundërshtinë e banorëve të këtyre zonave.

Ndërkohë, këshilli bashkiak  shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore.

Mesnatën e së dielës përfundoi edhe një marrëveshje një javore mes Bashkisë Durrës dhe impiantit të përpunimit të mbetjeve në Sharrë, e cila mundësoi grumbullimin e këtyre mbetjeve në këtë vend.

Zgjidhja disaditore, normalizoi situatën deri ditën e djeshme, kur rinisën kërkimet për një vendgrumbullim. Njëherësh, rifilluan edhe protestat e banorëve.

Pasditen e djeshme, banorët e Sukthit, debatuan ashpër edhe me Kryetarin e Njësisë Administrative të tyre, duke kundërshtuar hedhjen e këtyre mbetjeve në vendgrumbullimin e Vadardhës.

Po kështu, banorët e fshatit Bizë, ashtu siç paralajmëruan, ngritën një çadër pranë fushës së plehrave për të penguar depozitimin e plehrave të Durrësit në zonën e tyre.

Por, duket se gjatë ditës së sotme është gjetur zgjidhja përfundimtare e problemit. Odisea e mbetjeve urbane të Durrësit ka mbërritur në finish.

Mbeturinat  do të depozitohen në Sharrë konfirmoi në një komunikim telefonik për Adrianet, Drejtori i NSHK Plazh, Alfred Dhuli, duke nënvizuar se pastrimi i qytetit do të vazhdojë rregullisht.

---

**Categories:** Aktualitet
**Tags:** do të udhëtojnë drejt Sharrës, Odisea e mbetjeve urbane të Durrësit në finish
